Qeveria nuk tërhiqet nga projektligji i prokurorisë
Qeveria është e vendosur t’i shkojë deri në fund betejës së saj me organet e drejtësisë. Pavarsisht kundërshtimit të vazhdueshëm, jo vetëm të grupeve të interesit, siç janë institucionet që përbëjnë sistemin e drejtësisë, por edhe të organizmave ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në rrugën e saj të përmrëisimit të kuadrit ligjor siç është rasti i EURALIUS, ekzkekutivi vijon të mbetet në të njëjtat pozicione si më parë kur bëhet fjalë për nismat ligjore që janë ndermarrë në këtë fushë. Kryeministri Sali Berisha nuk e fshehu dot dje konfliktin që vazhdon ende midis qeverisë së tij me grupet e interesit lidhur me disa projektligje të rëndësishme për reformën në drejtësi, duke rikonfirmuar edhe një herë se mbetet i prerë për të mos u tërhequr nga përmbajtja aktuale e projektiligjit “Për prokurorinë”. I pyetur nga gazetarët nëse do të merrte parasysh qeveria kontestimet që vijnë më së shumti nga grupet e interesit për këtë draft-ligj ai nuk ka ngurruar t’i cilësojë këto reagime si pjesë e interesave të grupeve të caktuara që përfaqsojnë apo drejtojnë këto institucione. “Një gjë dua t`ju siguroj me bindjen dhe vendosmërinë më të madhe se ligjet e këtij vendi do të jenë ligjet e standardeve më të mira demokratike. Por në qoftë se kërraba e interesit kërkon t`i tërheqë ato nuk do të mundë t`i tërheqë”, - tha kryeministri duke lënë të kuptohet se në këtë betejë do të jetë ai i fituari. Në këtë mënyrë kryeministri shfaqi edhe njëhërë qëndrimin e tij në lidhje me çështjen e reformës në drejtësi duke e cilësuar atë si nevojë për t’i vënë një kufizim shtetit, dhe idenë e tij e mbështeti në faktin se projektligjet në fjalë reflektojnë praktikat dhe modelet më të mira edhe pse grupet e interesit që përfaqësohen nga prokurorë, gjykatës dhe avokatë i kanë kundërshtuar fort ato dhe i shohin si cenuese të pavarsisë së tyre. “Shteti duhet të ketë kufizime dhe këto ligje nuk po i shpikim ne-të jeni të sigurtë-këto ligje janë praktikat më të mira që ne po i marrim, ne kemi modele tani dhe ecim me modele”, - shtoi kryeministri. Duke qëndruar pikërisht tek kjo çështje, edhe pse është bërë i ditur tashmë qëndrimi i ashpër i Ambasadorit Amerikan Xhon Withers për këtë projektligj Berisha i cilësoi marrëdhëniet me të si normale, por pa shprehur entuziamin e mëparshëm. “Marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe ambasadorit janë marrëdhënie normale, marrëdhënie që karakterizohen nga një frymë e hapur bashkëpunimi dhe ambasadori dhe ambasada ka rolin e vet të padiskutueshëm në të gjitha këto zhvillime historike në Uashington”, tha Berisha. Gjithashtu ai ka përshëndetur dje dhe firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti Xhorxh W Bush, duke e cilësuar atë si një akt historik mes marrëdhënieve të dy shteteve.