KLD, Topi kundër Topallit: Gjyqtarët nuk mblidhen pa Ligj
Përpos pretendimit të mazhorancës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, lë qartë të kuptohet se mbledhja e Konferencës Gjyqësore për anëtarët e rinj të KLD-së duhet të bëhet me ligj.
TIRANË- Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, deklaroi mbreme se, ngërçi që ka lindur për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, nuk e lejon atë të dalë mbi Kushtetutën dhe nuk mund të punojë në terrene ekstra-ligjore.
Në një intervistë për emisionin"Ora e Debatit", Presidenti Topi, i pyetur mbi debatin e fundit në KLD, u shpreh se, ai nuk mund të bëjë rolin e mbikëqyrësit apo interferuesit në këtë proces. "Unë si President, nuk do të doja të isha interferues, nuk dëshiroj të marr ndonjë mënyrë të qartë, anën e njërit apo tjetrit. Nuk mund të jem mbikëqyrës mbi çdo deklaratë. Është Kushtetuta dhe janë ligjet. Presidenti nuk punon në terrene ekstra-ligjore,"- tha dje Topi.
Lidhur me deklaratën e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu se gjyqtarët nuk mund të vetëmblidhen pa kaluar projektligji në Parlament, Topi tha se, të gjithë kanë të drejtë të shprehen në mënyrën e tyre, por vetë ai si referencën kryesore ka Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke lënë qartë të kuptohet se zgjedhja e anëtarëve të rinj në KLD, duhet të bëhet në bazë të ligjit, dhe jo përmes ndonjë strukture vetëmbledhëse. "Të gjithë kanë të drejtë të prononcohen. Unë i qëndroj parimeve kushtetuese, mos e kërkoni thjesht nga Presidenti, ka Gjykatë të Lartë, ka ligj. Secili duhet të ketë përgjegjësitë e veta. Unë kam një referencë, që është Kushtetuta dhe ligjet e këtij shteti", - u shpreh ai.
Lidhur me mundësinë e mbledhjes së Konferencës Gjyqësore dhe marrjes së vendimeve në të, për zgjedhjen e katër anëtarëve të KLD-së, Topi nënvizoi se çdo aktor institucional e njeh ligjin dhe për këtë nuk mund të paragjykohet se çfarë do të ndodhë realisht. "Unë kam bindjen që çdo aktor institucional e njeh ligjin. Sot nuk kemi pse të paragjykojmë se çfarë do të ndodhë, mund të ketë apelime në Gjykatën Kushtetuese,"- theksoi Topi. Presidenti, theksoi më tej se, shpreson që të arrihet një dialog institucional me qëllim që të mos kontestohet ligjërisht procesi i zgjedhjes së anëtarëve në KLD. "Unë nuk kam klimë paragjykuese për askënd. Shpresoj për zënien e këtyre boshllëqeve. Unë inkurajoj konsulta dhe dialogun institucional që të mos ketë nevojë të kontestohet ligjërisht. Ne jemi të prirur të zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese,"- pohoi Presidenti i vendit.
*************************************************************************
Dy dite më pare, Topalli: Veproni ne mungesë ligji
TIRANË- Ngërçi që ka krijuar bojkoti i opozitës në të gjithë piramidën shtetërore ka detyruar mazhorancën të lëshojë disa nga kompetencat që Kushtetuta ia njeh vetëm Kuvendit. Bëhet fjalë për kompetencat ligjvënëse, që ligji themeltar i shtetit ia njeh vetëm institucionit legjislativ.
Në kushtet kur opozita ka vendosur të qëndrojë jashtë këtij institucioni, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si përfaqësuese e mazhorancës, në pamundësi për të miratuar ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash, siç është edhe ai "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore" të cilin e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, ka pranuar që t'i njohë të drejtën përfaqësuesve të institucioneve gjyqësore që të vendosin vet lidhur me organizimin dhe funksionimin e këtij organizmi.
Në një takim të zhvilluar me të zgjedhurit e Kuvendit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka mbështetur vendimin e dy ditëve më parë të një tryeze informale të drejtuesve të gjykatave në vend për të mbledhur gjyqtarët me qellim mbledhjen e Konferencës Kombëtare të Gjyqtarëve, pavarësisht se tashmë nuk ka një ligj që mund të normojë funksionimin e saj.
Topalli në një deklaratë të shpërndarë edhe për mediat, pranon se në kushtet kur opozita bojkoton Kuvendin dhe miratimi i ligjit të ri "Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës së Kryetarëve" kërkon 3/5 e votave, për të zhbllokuar situatën mbetet si rrugë e vetme vetorganizimi i gjyqësorit për të mbledhur Konferencën e Gjyqësore Kombëtare dhe për të zgjedhur prej aty 4 përfaqësuesit e saj në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. "Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD.
Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë.Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD", - thotë Topalli në deklaratën e shpërndarë për mediat pas takimit me të zgjedhurit e Kuvendit në KLD, pavarësisht se zëvendëskryetari i këtij institucioni Kreshnik Spahiu është shprehur kundra një zgjidhje të tillë.
Por duket se debati i krijuar për këtë çështje ka si prapavijë të tij pikërisht vendosjen e një balance të re në institucionin e KLD-së, ku pothuajse gjatë gjithë viteve të fundit mazhoranca e djathtë ka qenë në minorancë. Në funksion të këtij qëllimi, Topalli nuk ka nguruar ti përcjellë një mesazh të qartë edhe kreut të KLD-së, pavarësisht se nuk ka folur me emër të përveçëm, duke vlerësuar se çdo veprim që kërkon të pengojë një zgjidhje të tillë nga ana e vet gjyqësorit është i papranueshëm.
"Të drejtat e Gjyqësorit për t'u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush.
Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD. Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të Gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e Trupës është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. Ky parim nuk mund të cenohet nga askush. Cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë", - shprehet Topalli në letrën e vet. Një debat i tillë ka lindur pikërisht sepse Konferenca Kombëtare Gjyqësore për shkak të rrëzimit të ligjit të saj nga ana e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të mblidhet për të zgjedhur 4 përfaqësuesit e saj në KLD, ku aktualisht dy vende kanë mbetur vakante dhe ku dy anëtarëve të tjerë u ka mbaruar koha e ushtrimit të kësaj detyre.
Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.
Gjyqtarët: Do të vetadministrohemi
Gjyqtarët kërkojnë që politika të arrijë konsensusin me qëllim miratimin e draftit për Konferencën Gjyqësore
TIRANË- Pas qëndrimit të ambasadorëve dy ditë më parë, thirrja e dytë për zgjidhjen e krizës politike në vend vjen nga radhët e gjyqësorit.
Kanë qenë krerët e Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe të Apelit në vend si dhe përfaqësuesit e shoqatave të gjyqtarëve, të cilët pas një tryeze të rrumbullakët të mbledhur nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjyqtarja Shpresa Beçaj, kanë apeluar për një bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës për të arritur plotësimin e reformave në drejtësi.
"I kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e projektligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e Sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti", - thuhet në deklaratën e lëshuar paraditen e djeshme nga krerët e gjyqësorit në vend dhe shoqatat, që i përfaqësojnë ata.
Pas takimit të dytë të mbajtur paraditen e djeshme, pjesëmarrësit e kësaj tryeze të rrumbullakët kanë pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë.
Katër anëtarëve të KLD-së që dalin nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare u ka mbaruar mandati, por anëtarët e rinj nuk mund të zgjidhen për shkak se mungon kuadri ligjor për funksionimin e saj. Për zgjidhjen e kësaj situate në Kuvend nevojiten edhe votat e opozitës.
"Pas këtij takimi dy ditor u arrit në një përfundim nga të gjithë pjesëmarrësit duke iu drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për të pasqyruar në draftin përfundimtar në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projekt-ligjin për KGJK.
I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t'i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë, për miratim.
Si dhe u vendos në unanimitet që paralelisht me procesin ligjvënës trupa gjyqësore të vete administrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtaret e Republikës së Shqipërisë më datën 5 dhjetor 2009", -thuhet në deklaratë.