Rama, urdhër rretheve: Dua nga 1 mijë vetë për protestën e 20 nëntorit
Protesta e 20 nëntorit, që duket se do të jetë dhe e fundit në radhën e mitingjeve që po bën PS në rrethe, po i kushton shumë energji kësaj partie, e cila është angazhuar që të tregojë muskujt në këtë betejë të fundit. Sipas burimeve nga selia e PS-së, kreu i kësaj partie dhe anëtarët e kryesisë që rrinë pranë tij u kanë kërkuar degëve në rrethe të mbledhin të paktën 1 mijë ose më shumë njerëz e t’i sjellin në Tiranë më datë 20 në sheshin “Skënderbej”. Kjo logjikë po përdoret për të mos e dështuar këtë tubim, i cili për herë bëhet në një shesh aq të madh, ku PS nuk ka protestuar asnjëherë. Ndërkaq mitingjet në rrethe kanë qenë një dështim numerik, pasi nuk ka arritur të mbledhë mbështetës, në mënyrë që të shfaqë mitingje entuziaste. Edhe në këto raste deputetët e zonave përkatëse kanë punuar disa ditë para për të realizuar tubimin, ashtu siç po bëhet dhe për mitingun e fundit. Ndërkohë PS po projekton që pas 20 nëntorit të bëjë protestë 24 orë në 24 para Kryeministrisë, por akoma Rama nuk e ka bërë publike këtë gjë.