Kathimerini: PS po rrezikon marrëdhëniet Shqipëri-Greqi
Marrëdhëniet e mira mes Greqisë dhe Shqipërisë po rrezikohen nga qëndrimi i opozitës socialiste shqiptare, e cila kundërshton dy marrëveshjet më të rëndësishme që janë nënshkruar vitet e fundit mes dy vendeve fqinje. Njëra lidhet me kufirin detar mes dy vendeve dhe tjetra me varrezat e ushtarëve grekë që kanë vdekur në vitin 1940 në luftën italo-greke. Kështu shkruan e përditshmja greke, “Kathimerini” në numrin e saj. Gazeta thekson se këto marrëveshje janë nënshkruar nga qeveritë e kryeministrave Karamanlis e Berisha, por nuk janë ratifikuar ende nga parlamentet e Tiranës dhe Athinës.
”Edhe pse u firmosën në mënyrën më serioze zyrtare dhe protokollare, këto marrëveshje rrezikojnë të kthehen në momente krize në marrëdhëniet mes dy vendeve”, - thekson “Kathimerini” në shkrimin e saj të titulluar “Re të tepërta”. Sipas gazetës, është e vërtetë që as Parlamenti grek nuk i ratifikuar ende ato, por tensioni politik që ka shkaktuar kryesisht marrëveshja për kufijtë detarë nuk ka lënë indiferente dhe ka rritur shqetësimin e Athinës zyrtare. Opozita socialiste shqiptare dhe aleatët e saj shprehën dyshime të forta, sipas të cilave Greqia “u vodhi” sipërfaqe të konsiderueshme detare gjatë marrëveshjes për kufirin, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. “Njëkohësisht, një pjesë e klasës politike konsideron se prania e varrezave të ushtarëve grekë në Këlcyrë dhe Bularat nënkupton synime territoriale të Greqisë, ndaj dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër”, - nënvizon ajo. Po kështu, gazeta shkruan se në të njëjtën gjatësi vale, disa media të Tiranës, që kanë ndikim mbi opinionin publik, e ushqejnë atë me skenarë komplotistë të Greqisë kundrejt Shqipërisë dhe shqiptarëve. E duke përmendur këto fakte, “Kathimerini” ngre pyetjen se nëse do të priste ndokush që klima dyshuese e krijuar për më shumë se gjysmë shekulli të qartësohej? “Kathimerini” sjell edhe një herë në vëmendje se pretendimet historike mes dy vendeve nuk kanë më kuptim, duke pasur parasysh se shumë shpejt edhe Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. “E keqja është se paragjykimet dhe fobitë nacionaliste, që veçanërisht në Shqipëri përdoren për konsum të brendshëm, rrezikojnë të ndikojnë në imazhin e vendit në Evropë”, - e përfundon shkrimin e saj kryesor gazeta e njohur e vendit fqinj.