Krerët e shteteve të NEQ: Urgjente heqja e vizave me Shqipërinë
Kryetarët e shteteve të NEQ njësojnë qëndrimin për një vendim sa më shpejtë për të liberalizuar vizat me Shqipërinë. Gjatë ditës së dytë të qëndrimit në Bukuresht, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, kryesoi delegacionin e Shqipërisë në samitin e kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ). Në fokus të këtij samiti, i cili përkon me 20-vjetorin e krijimit të NEQ-it, ishte vlerësimi për një bilanc pozitiv të kësaj nisme e cila lindi vetëm pak ditë pas rënies së Murit të Berlinit. Gjatë punimeve të këtij samiti u miratuan disa dokumente të rëndësishme, si: Plani i Veprimit për vitet 2010-2012, Deklarata e 20-vjetorit të Krijimit të NEQ-it si dhe Dokumenti politik i samitit. Në Dokumentin final të samitit, të gjithë kryetarët e qeverive, mes tjerash, mbështetën angazhimin e Komisionit Evropian për të liberalizuar regjimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti, u theksua nevoja që të merret sa më parë vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Në fjalën e tij në këtë samit, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, nënvizoi faktin se “vokacioni evropian i Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet i pandryshueshëm dhe si rrjedhojë, integrimi në BE është prioritet madhor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar”. Në këtë kuadër, ai informoi samitin lidhur me stadin aktual të procesit integrues të Shqipërisë në BE, duke u ndalur në aplikimin për statusin e vendit kandidat dhe angazhimin e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave për liberalizimin e vizave me BE-në. Lidhur me lëvizjen e lirë, z. Meta shprehu besimin se “brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, çka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për secilin prej vendeve tona”.