Rama nga Vlora: Jemi të gatshëm për dialog
Kreu i PS-së, Edi Rama, bën kapërcime të forta nga njëra ditë në tjetrën në fjalimet e tij. Ndërsa para dy ditësh fliste për rrëzim të qeverisë, dje ai ka thënë se është gati të bisedojë për të zgjidhur problemin e krijuar nga bojkoti i Parlamentit nga ana e opozitës. “Kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të bisedojmë, të dialogojmë, të zgjidhim çdo problem madhor e sfidë madhore të vendit duke përdorur forcën e arsyes, jo arsyen e forcës. Këtu jemi, prej kohësh e kemi bërë të qartë se çfarë kërkojmë dhe nuk është faji ynë që të tjerët kanë kujtuar ose kanë dashur të kujtojnë se kjo është një lojë politike e zakonshme, për interesa të vogla dhe pa gjasa që të zgjasë shumë”, - është shprehur Rama në Vlorë në mitingun e radhës me socialistët e këtij qyteti. Më tej, ai ka shtuar se “megjithatë ne jemi këtu për të ofruar në çdo çast, kur ka dëshirë e vullnet nga pala tjetër, kontributin tonë që kërkesat tona të kuptohen drejt edhe nga ata që s’kanë dashur apo s’kanë mundur t’i kuptojnë. Por, ndërkohë ne as do të ndalemi dhe as do të humbasim asnjë çast në rrugën e kësaj beteje të nisur për sa kohë nga pala tjetër do të zgjedhë shurdhërinë në vend të dëgjimit dhe propagandën mashtruese antiopozitare e diversionin banal ndaj opozitës në vend të komunikimit normal”. Ai ka këmbëngulur sërish në hapjen e kutive të votimit dhe këtë kërkesë të tij e ka mbështetur dje në tribunën e Vlorës dhe një ish-aleat i PD-së, Nard Ndoka i PDK-së.