E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta i pergjigjet Ramës: Zgjedhjet i fitojmë ne

Nga Darina Tanushi
Një ditë pas deklaratës së Ramës në kryesinë e PS-së, se fiton edhe pa bashkëpunimin e LSI-së, Meta është përgjigjur gjatë një takimi me të rinjtë në njësinë nr.7 në Tiranë 

TIRANE-Kryetari i LSI-së, Ilir Meta është shprehur i sigurt në suksesin që partia e tij do të arrijë në zgjedhjet e vitit që vjen. Një ditë pas deklaratës së Ramës në kryesinë e PS-së, se fiton edhe pa bashkëpunimin e LSI-së, Meta është përgjigjur gjatë një takimi me të rinjtë në njësinë nr.7 në Tiranë. Meta tha se, “unë jam i bindur se zgjedhjet e vitit 2009 janë zgjedhjet përcaktuese për fatet e shqiptarëve për të ardhmen. Ndaj unë kam besim të plotë, - shtoi Meta, - në suksesin që do të realizojmë”. “Jam i bindur se përfaqësimi i LRI-së në Parlamentin e ardhshëm, por edhe në qeverisjen e ardhshme, do të jetë më se dinjitoz dhe i merituar. LSI-ja është forca e së ardhmes, sepse është forca politike, e cila investon më shumë për rininë dhe për gjeneratën e re”, - u shpreh kreu i LSI-së, ndërsa ka sulmuar si Berishën ashtu edhe Ramën.
Meta tha se, “LSI-ja dhe LRI-ja janë alternativa kryesore që i mbetet qytetarëve shqiptarë, por në mënyrë të veçantë rinisë shqiptare, për të refuzuar një herë e mirë një kastë të re politike dhe ekonomike, që synojnë të krijojnë Rama dhe Berisha me marrëveshjet dhe me aferat e tyre, e cila është në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”. Sipas Metës, “këta dy njerëz mendojnë se mund t’i nxjerrin nga loja demokratike 3 milionë shqiptarë, pra nga pjesëmarrja, nga vendimmarrja, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese”. “Këta dy njerëz mendojnë se mund të pronësojnë dhe të shpronësojnë kë të duan në këtë vend dhe mund të bëjnë ç’të duan, jo vetëm me pronën private të qytetarëve shqiptar, por edhe me hapësirat publike. Rasti më flagrant ishte ndryshimi i Kushtetutës së Shqipërisë”. Duke vazhduar Meta tha, se bashkëpunimi PS-PD shkon edhe më tej, kur të dy palët ndryshojnë “Ligjin për Sportin”, dhe ku kryetari i Bashkisë z.Rama firmos që në 29 dhjetor, pa u bërë ndryshimi i ligjit, që dhëndri i Berishës të bëjë ndërtime në kompleksin e “Klub Partizanit”. Lidershipi i këtyre partive bie dakord, nënvizoi Meta, për ta kthyer të vetmin Kopsht Botanik që kemi në një zonë urbane, dhe kjo bëhet për të vetmen arsye, sepse kostoja financiare për metër katror në këtë zonë është më e shtrenjtë në krahasim me zonat e tjera të Tiranës. Gjithashtu, Meta denoncoi edhe bashkëpunimin më të fundit PS-PD në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Siç u shpreh ai, “nuk mund të justifikohet ky bashkëpunim i turpshëm i këtyre këshilltarëve të këtyre forcave politike në vigjilje të natës së Fiter Bajramit, ku asnjë nuk e kishte mendjen dhe në mënyrë më të turpshme, edhe ato pak hapësira të gjelbra që ka Tirana sot, do i kthejnë në parking”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›