E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat: 10 mln euro gjoba për biznesin

Nga Genc Kondi
Vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti administrata tatimore ka vendosur për bizneset private një sasi gjobash, që në total, arrin shifrën e 100 milionë lekëve të reja 

TIRANE-Sipas statistikave fiskale të Ministrisë së Financave, vetëm gjatë muajit gusht të këtij viti administrata tatimore ka vendosur për bizneset private një sasi gjobash, që në total, arrin shifrën e 100 milionë lekëve të reja. Në rast se në muajin prill të këtij viti sasia e gjobave ka qenë në nivelin e 409 milionë lekëve, në korrik ajo kishte arritur në 914 milionë. Për të kapur majat e 1 miliard e 56 milionë lekëve gjoba në fund të gushtit 2008. Kjo sasi është e barabartë me afro 10 milionë euro gjoba e sekuestro. Një nivel i tillë pasqyron dukshëm tendencën e vendosjes së masave administrative në mbledhjen e të ardhurave në Financat Publike, politikë që dy ditë më parë e kritikoi edhe përfaqësuesi i Fondit Monetar në Uashington. Sipas shefit të Misionit për Shqipërinë në këtë organizatë financiare ndërkombëtare, Gerwin Bell, masat administrative nuk janë e vetmja dhe më e mira ndër rrugët për të forcuar financat publike. Në një intervistë për ‘Gazetën Shqiptare’, një ditë më parë, ai theksoi se duhet të ketë një ekuilibër midis mjeteve administrative dhe iniciativave për zbatim vullnetar. Në këndvështrimin tonë, masat më të fundit, të ndërmarra nga administrata shqiptare, mbështeten më së shumti në të parat, pa u kushtuar vëmendjen e duhur të dytave. Megjithëse, ndoshta ato nuk janë problematike menjëherë, mund të sjellin pasoja të padëshiruara me kalimin e kohës. Për shembull, nivelet e shumta të pagave referencë dhe të numrit të punonjësve lënë hapësirë të madhe për arbitraritet në përcaktimin e detyrimeve tatimore, çka është saktësisht, e kundërta e asaj që autoritetet synonin kur ata eliminuan shkallët e ndryshme tatimore për të ardhurat personale. Dhe gjithashtu, rrezikon të pengojë rregullimet e nevojshme se si bizneset i marrin vendimet e tyre, gjë që ekonomia e tregut, me urtësi, ua le sipërmarrësve dhe jo autoriteteve tatimore, ka deklaruar Bell.
Ndër të tjera, të bën përshtypje rritja e jashtëzakonshme e shifrës së tatimit mbi të ardhurat personale të punonjësve. Në rast se një vit më parë, në gusht 2007, shifra progresive e mbledhur nga Tatimet ishte 7,3 miliardë lekë, në gusht 2008 kjo shifër rritet në 14,3 miliardë, me një shtim dyfish. Duke iu afruar shumë parashikimit vjetor prej 16,3 miliardësh, ndonëse rezultatet kanë të bëjnë vetëm me një periudhë kohore të barabartë me dy të tretat e vitit financiar.
Tatim-fitimi mbi të ardhurat e ndërmarrjeve është 1,5 miliardë më i vogël se një vit më parë, gati sa gjysma e shifrës së realizuar një vit më parë.
Kurse të ardhurat e parashikuara të vijnë nga ndihmat e huaja (grantet), në mënyrë tepër të çuditshme, janë realizuar, gjatë tetë muajve të këtij viti, sa gjysma e të njëjtës periudhë të 2007-ës, duke qenë shtatë herë më të vogla se shifra e planifikuar në Buxhetin e Shtetit për këtë vit.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›