E Shtunë, 31 Tetor 2026

"KLD është qeverisje që mbron gjyqësorin"

• SHKODER - Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) vijoi maratonën e drejtësisë në Shkodër, me analizën e punës së gjykatave në zonën veriore të vendit.Në një tryezë të përbashkët janë trajtuar problemet në gjykatat e rretheve gjyqësore Shkodër, Lezhë, Tropojë, Kukës, Pukë si dhe vendimet e këtyre gjykatave që janë bërë objekt ankimi pranë Gjykatës së Apelit në Shkodër. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, evidentoi rëndësinë e integritetit të sistemit gjyqësor dhe imazhit që ai jep te qytetarët. Kjo, sipas Spahiut, fillon që nga respektimi i solemnitetit gjyqësor dhe oraret e gjykimit. Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i KLD-së kërkoi që gjykatat të demonstrojnë standarde të larta profesionale në arsyetimin e vendimeve dhe përkushtim në ecurinë e proceseve, duke shmangur zvarritjet pa arsye të ligjshme gjyqeve. KLD-ja është si një "organ qeverisës" i gjyqësorit dhe po luan rol për rritjen e pavarësisë financiare të gjykatave. Duke iu larguar përplasjeve të natyrës politike, Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideroi inspektimin e gjyqësorit si kompetencë ekskluzive të njohur me ligj, me garancinë të dhënë nga Kushtetuta e Republikës, sipas të cilës, kontrolli i pushtetit gjyqësor ushtrohet po nga ky pushtet", thuhet në njoftimin e KLD-së. Sipas nënkryetarit Spahiu, KLD-ja nuk duhet të shikohet shihet si një inkuizicion, por si një qeverisje që mbron interesat e gjyqësorit. "Çdo gjyqtar që do të cenojë Kushtetutën, ligjet, veprimtarinë e gjyqësorit, do të largohet nga puna për të lënë të pastër imazhin e gjyqtarëve të tjerë", është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu.                                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›