Koha për proporcional të pastër
• Blendi KajsiuNjë sistem proporcional në kushtet aktuale të Shqipërisë nuk është aspak ide e keqe. Edhe për faktin se sistemi aktual kryesisht mazhoritar ka dështuar me sukses. Jo vetëm prej deformimeve meskine si dushku apo vjedhja e votës, por në vetë logjikën e tij. Dy janë arsyet themelore se përse preferohet një sistem mazhoritar. Së pari, sepse krijon stabilitet në qeverisje. Së dyti, sepse ruan lidhjen deputet–elektorat. Stabiliteti në qeverisje është veçanërisht i rëndësishëm për ndërmarrjen e reformave të thella në kushtet e tranzicionit. Mazhoritari krijon shumica të pastra dhe të forta që kanë numrat në parlament për të kryer reformat e nevojshme. Lidhja deputet–elektorat është e nevojshme, në mënyrë që qytetarët të ndihen të përfaqësuar. Një element i rëndësishëm ky, veçanërisht në demokraci. Sistemi aktual ka dështuar në të dyja këto aspekte. Shumicat e pastra që janë krijuar në Shqipëri si pasojë e sistemit elektoral, më shumë sesa për të kryer reforma janë përdorur për të vënë nën kontroll shtetin dhe për të eliminuar kundërshtarin politik. Natyrisht që edhe reforma të thella janë kryer, veçanërisht në fillim të viteve 1990. Megjithatë më shumë sesa për të ndërmarrë reforma, shumicat parlamentare në Shqipëri kanë shërbyer për të marrë nën kontroll institucionet e pavarura të shtetit. Këtë e bëri me mjaft sukses PD-ja në mandatin e saj të parë, e vazhdoi PS-ja në mandatin e saj të dytë dhe të tretë, dhe rifilloi PD-ja në mandatin e saj të dytë. Sikurse e pamë nga debati i stërzgjatur në lidhje me çështjen Sollaku, shumica parlamentare u përdor jo për ndonjë reformë konkrete sesa kundër individëve konkretë. Nga ana tjetër, lidhja deputet–elektorat nuk duket se ka kontribuar në eliminimin e krizës së përfaqësimit. Sot në të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare, politika, politikanët dhe partitë politike urrehen me intensitet. Pak rëndësi ka nga buron apo nëse kjo urrejtje është e justifikueshme. E rëndësishme është që qytetarët në përgjithësi ndihen të papërfaqësuar nga partitë politike. Kjo duhet thënë nuk është pasojë thjesht e dimensionit mazhoritar, por edhe e deformimeve Dushkiane. Me ndonjë përjashtim të rrallë si LSI, partitë e vogla që sot ankohen kundër dyshes PS–PD, janë në fakt simptoma të deformimit të vullnetit elektoral. Ato nuk dihet, kë apo çfarë përfaqësojnë. Herë pas here ato fryhen në parlament jashtë çdo proporcioni në raport me elektoratin që kanë, siç ishte rasti i PDK-së. Ndërsa në rastin më të keq këto partiza bëjnë Xhuvelizëm, pasi futen në parlament me votat e njërës palë dhe qeverisin me palën tjetër.Një sistem i pastër proporcional mund t’i ndreqë deformimet e mësipërme. Ai jo vetëm nuk i eliminon partitë e vogla, por i bën ato më reale, duke krijuar një raport të drejtë mes votës në elektorat dhe vendeve në parlament. Natyrisht kjo kërkon një rritje të caktuar pragu, mbase diku tek 4-5%, në mënyrë që të shmanget fragmentizimi i skajshëm i skenës politike dhe të krijohet njëfarë stabiliteti qeverisës. Për të eliminuar deformimet, komplikimet, pazaret apo përplasjet në terren, është mirë që listat të jenë të mbyllura. Përndryshe shumë nga deformimet aktuale të mazhoritarit, si klientelizmi politik zonal thjesht do transferoheshin në sistemin proporcional. Për të njëjtën arsye duhet eliminuar edhe ideja e proporcionalit rajonal. Nga njëra anë ky sistem e rrit tmerrësisht shumë pragun elektoral, duke e vështirësuar futjen në treg të aktorëve të rinj politikë. Kështu nëse Shqipëria ndahet në 10 rajone me 10 deputetë secili, praktikisht pragu elektoral shkon në 10%. Rritja e pragut nga 2.5% që është aktualisht në 10%, është vërtet absurde. Nga ana tjetër proporcionali rajonal mund të prodhojë të njëjtat deformime rajonale si të mazhoritarit. Më shumë sesa programe politike apo shtresa sociale në Parlament, do të përfaqësohen krahina të caktuara. Në të dyja rastet në vend që të përfitojmë një përfaqësim më të drejtë politik, thjesht thellojmë deformimet e sistemit aktual. Me një proporcional të pastër, me lista të mbyllura dhe me një prag diku tek 4-5%, mund të kalojmë nga politika pa ide dhe me shumë krahinorizëm tek një politikë e ideve që përpiqet të përfaqësojë grupimet sociale në terren, më shumë sesa zona të caktuara elektorale. Natyrisht ky sistem prodhon një shkëputje pushtet–qytetar. Por një lidhje e tillë mund të garantohet shumë më mirë në nivelin lokal, duke reformuar sistemin elektoral vendor. Është më e arsyeshme që përfaqësimi gjeografik apo krahinor të bëhet në pushtet vendor dhe veçanërisht te këshillat bashkiakë. Ndërsa partitë politike në Parlament duhet të përqendrohen te përfaqësimi i çështjeve makro ose i shtresave të caktuara sociale. Së fundi, shqetësimi se një proporcional i pastër prodhon diktaturën e kryetarit të partisë, është një shqetësim i deformuar. Është e vërtetë që një proporcional i pastër me lista të mbyllura e fuqizon së tepërmi kryetarin e partisë. Ama, kryetarët e partisë janë akoma më të pushtetshëm me sistemin aktual. Me këtë sistem ata e kanë më të lehtë t’i shmangen përgjegjësive elektorale. Në rast se i fitojnë zgjedhjet ata marrin meritat. Kur i humbasin zgjedhjet përgjegjësitë i delegohen kandidatëve humbës. Pa folur këtu për faktin që sistemi aktual duke shkatërruar procesin zgjedhor e bën të vështirë ndarjen e përgjegjësive. Si pasojë e Dushkut, e aleancave parazgjedhore, e manipulimeve në terren dhe shproporcionit mes votës së elektoratit dhe vendeve në parlament, është e vështirë të llogarisësh qartë se sa është humbur dhe sa është fituar. Në këto kushte përgjegjësia hidhet e pritet si brenda ashtu edhe midis partive. Proporcionali i pastër me lista të mbyllura ndonëse e forcon pozicionin e kryetarit në zgjedhjen e kandidatëve qartëson edhe përgjegjësitë e këtij të fundit. Me një proporcional të pastër dhe me lista të mbyllura rritet shansi për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu, nëse partia i fiton zgjedhjet kryetari rri, nëse jo ai largohet. Ky është edhe problemi themelor i partive politike në Shqipëri dhe jo demokracia e brendshme partiake. Nëpërmjet demokracisë së brendshme një kryetar partie mund ta mbajë pozicionin e tij edhe kur i humbet zgjedhjet dhe mund ta humbasë edhe kur i fiton ato. Kjo për faktin e thjeshtë se shijet e anëtarëve të partisë dhe shijet e elektoratit jashtë saj jo gjithmonë përputhen. Prandaj më shumë sesa demokracia e brendshme e partisë, është e rëndësishme demokracia e jashtme, midis partive. Për një demokraci të tillë sot Shqipërisë mund t’i shërbejë mjaft mirë një proporcional i pastër, me lista të mbyllura dhe me një prag më të lartë sesa pragu aktual. Një sistem i tillë rrit shanset për zgjedhje të lira dhe të ndershme, prodhon një raport të drejtë midis votës dhe vendeve në parlament, si dhe rrit përfaqësimin e grupeve të mënjanuara, veça-nërisht gratë.