E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak: Shqipëria ka bërë përparime, por ka probleme me barrën e trashëguar nga komunizmi

Eurodeputetja kristiandemokrate gjermane Doris Pak, komenton raportin e KE-së dhe vlerëson përkushtimin e qeverisë për kapërcimin e problemeve

"Shqiptarët janë në rrugë të mbarë, por ata ende kanë një rrugë të gjatë përpara për të arritur atje ku vende të tjera kanë qenë qysh më parë".
Kështu është shprehur dje eurodeputetja kristiandemokrate gjermane Doris Pak, lidhur me raportin e Komisionit të BE-së për përparimet e reformave në vendet që aspirojnë anëtarësimin, sikurse është edhe Shqipëria.
"Shqipëria duhet ta theksoj, ka bërë përparime. Këtë e vlerëson edhe Komisioni, por megjithatë ka ende shumë punë për të bërë. Në dallim nga vendet e tjera fqinje të saj Shqipëria nuk ka barrën e rëndë të problemeve etnike dhe fetare. Në këtë drejtim ajo mund të ecë përpara. Por Shqipëria ka probleme me barrën e trashëguar nga komunizmi, siç është problemi i pronave, që është i vështirë të zgjidhet, problem tjetër është ai i kartave të identitetit. Këto probleme janë në axhendë dhe le të shpresojmë që ato do të zgjidhen deri vitin e ardhshëm, para se do të zhvillohen zgjedhjet. Qeveria meriton të lavdërohet, që u është përkushtuar këtyre problemeve. Ligji elektoral është duke u hartuar, ndonëse kjo është e vështirë dhe disa parti kanë frikë, se përmes këtij ligji mund të humbasin influencën dhe mund të mos zgjidhen më. Megjithatë ligji elektoral duhet të përfundojë gjatë muajve të ardhshëm, sepse në zgjedhjet e ardhshme ne duam të kemi zgjedhje ashtu siç i kemi dëshiruar qysh prej dhjetë vjetësh: zgjedhje të lira dhe të ndershme, që të bazohen në lista zgjedhore të sakta dhe korrekte. Kjo është e mundur vetëm nëse njerëzit kanë kartat e identitetit, me të cilat mund të paraqiten për të votuar në qendrat elektorale. Shqiptarët janë në rrugë të mbarë, por ata ende kanë një rrugë të gjatë përpara për të arritur atje ku vende të tjera kanë qenë qysh më parë. Në ish-Jugosllavi ka ekzistuar një tjetër strukturë, pra në këto vende ka një strukturë bazë, që Shqipërisë i mungon. Unë shpresoj që do t´ia dalin mbanë. Unë kam përshtypjen, që të gjithë janë të gatshëm ta përshkojnë këtë rrugë. Të gjithë janë si të thuash tani me biletën evropiane. Çështja është se në ç´mënyrë do ta bëjnë këtë, deri tani ka pasur disa arritje, por megjithatë ka vend për t'i përmirësuar ato”, u shpreh Doris Pak.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›