E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lokali i deputetit "zmbraps" bashkiakët

Një deputet i opozitës, pronar i një lokali në kryeqytet, bllokon në mënyrë të kundërligjshme pesë vende parkimi në Tiranë. Me disa tabela metalike të verdha, në emër të lokalit që është pronë e deputetit Sadri Abazi, është zënë pothuajse i gjithë trotuari dhe askush nuk guxon të afrohet dhe të parkojë. Madje edhe Policia bashkiake ngurron që të veprojë. Këto ishin pamjet e fiksuara dje nga kamera e emisionit "Fiks Fare" gjatë një aksioni të forcave të policisë bashkiake në kryeqytet. Tashmë, dihet se të gjesh një vend parkimi për automjetin në kryeqytet është një mision i vështirë dhe shpeshherë i pamundur. Kjo është kthyer në stresin e përditshëm të shoferëve. Asgjë nuk ka ndryshuar. Njerëzit ndonjëherë humbasin ditën apo vendin e punës duke u sorollatur nëpër Tiranë për të gjetur një vend parkimi. Policia Bashkiake ndërmerr ndonjë aksion për zëniet e paligjshme të vendeve të parkimit, por kjo nuk zgjat shumë dhe gjithçka kthehet si më parë. Askush nuk merret me ndëshkimin e pronarëve të lokaleve, që zënë vendet e parkimit në mënyrë të paligjshme me karrige apo tavolina të nxjerra në mes të rrugës. E keqja në këtë vend është se janë pikërisht ata që vendosin ligjet, që i shkelin të parët. Dy vjet më parë, "Fiks Fare" denoncoi parkimin në vende ku nuk lejohej, të makinave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Jo se sot ka ndryshuar diçka, vetëm se në rrugën përpara hyrjes së ndërtesës së Kryesisë së Kuvendit kryhen punime dhe deputetët nuk kanë se si të parkojnë atje. Por në ditë të tjera, sa herë që ka ndonjë mbledhje, makinat e deputetëve i sheh të parkuara kudo. Siç dihet Policia Bashkiake që nga muaji tetor i vitit të kaluar ka intensifikuar aksionet për zhbllokimin e vendeve të parkimit. Sot dalin inspektorët e Policisë Bashkiake, heqin tabelat e paligjshme apo mjetet rrethanore që vendosin në rrugë subjektet private, dhe të nesërmen gjendja është si më parë. Të zotët e lokaleve i deklarojnë pronë të tyre të gjitha trotuaret që kanë përpara derës së barit apo restorantit. Askush nuk guxon të parkojë nëse nuk bëhet klient i lokalit, sepse të dalin rojet private dhe të pengojnë. Edhe dje, inspektorët e Policisë Bashkiake ndërmorën një aksion për bllokimin e këtyre mjeteve rrethanore, me të cilat zihen në mënyrë të kundërligjshme vendet e parkimit. Aksioni filloi mirë, u zhvillua në rrugët e zonës së ish-Bllokut, në rrugën "Sami Frashëri". U ndëshkuan disa pronarë lokalesh. Por, në një lokal, inspektorëve të bashkisë u hasi sharra në gozhdë. Ishte lokali i një deputeti, ose të paktën kështu iu prezantua një person, që pretendonte se ishte pronari.

Sipas personit që kundërshtonte oficerin e Policisë Bashkiake, që urdhëroi sekuestrimin e tabelave metalike me të cilat ky lokal kishte bllokuar pesë vende parkimi në mënyrë të jashtëligjshme, lokali ishte i deputetit Sadri Abazi. Pasi menaxheri i lokalit i drejtohet oficerit të Policisë Bashkiake me ton kërcënues që të mos prekë tabelat e parkimit privat të lokalit të deputetit, këtij të fundit i bie telefoni. Nga biseda që ai bën në telefon kuptohet se është një nga eprorët e tij që i kërkon sqarim. Pasi i shpjegon eprorit se dikush i prezantohet se është përfaqësuesi i deputetit Sadri Abazi, oficeri i Policisë Bashkiake largohet nga vendi ku kryhet aksioni. Specialistët e bashkisë shpjeguan se edhe tabelat që lokalet apo subjektet e tjera private vendosin në rrugë me shërbimin Parkim Privat, nuk janë të ligjshme. Sipas Kodit Rrugor, është i nevojshëm që vendi i parkimit i rezervuar të pajiset me sinjalistikën e nevojshme, pra tabelën me emrin e subjektit, numrin e vendeve të rezervuara dhe vijëzimin përkatës. Gjithashtu, me disa kona plastikë mund të rezervohen vendet që subjekti i ka të vetat, pasi ka nënshkruar kontratën me bashkinë. Çdo mjet tjetër rrethanor, që vendoset pranë vendit të parkimit, është i jashtëligjshëm. Të gjitha tabelat dhe mjetet rrethanore që u gjetën nëpër rrugë janë hequr dje dhe për pak orë gjetja e vendparkimeve, në zonën e ish-Bllokut, u lehtësua disi. Bashkia e Tiranës premtoi se në fund të muajit tetor të vitit të kaluar do të fillonte të merrte masa për ndalimin e bllokimit të këtyre vendparkimeve. Por gjendja vazhdon të jetë e njëjtë. Në të gjitha rrugët e kryeqytetit shikon vendparkime të prenotuara nga institucione private apo lokale, që mbahen të bllokuara 24 orë. Ngado shikon tabela që lejojnë vetëm parkimin e automjeteve të institucionit. Por këto tabela të ndalojnë të parkosh edhe natën, kur ka mbaruar tashmë orari zyrtar i punës dhe njëkohësisht edhe ai i vendparkimit, që këto institucione kanë me leje nga bashkia e kryeqytetit. Askush nuk pyet për gjobat dhe aktet e kontrollit që kryejnë inspektorët e Policisë Bashkiake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›