E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barna falas për të mbijetuarit e Gërdecit

Barna falas, libreza shëndetësore të hapura në "adresë" të secilit banor të mbijetuar nga tragjedia e Gërdecit. Të gjitha shpenzimet do të përballohen nga buxheti i shtetit. Nga lista e barnave me rimbursim përfitojnë kryesisht kategoritë e të sëmurëve kronikë, fëmijëve, apo pensionistëve. Megjithatë për të gjithë ata pacientë, të cilët nuk janë pjesë e kategorive përfituese, do të jepen ilaçe falas, brenda dhe jashtë listës.

Dje, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, dhe drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, kanë vizituar shtëpitë e pushimit në Durrës, ku janë vendosur përkohësisht banorët e mbijetuar nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të armëve në fshatin Gërdec. "Do të hapen të gjitha librezat shëndetësore për personat që mbulohen 100 për qind nga ligji (fëmijët dhe pensionistët) jo vetëm për ata që kanë aktualisht sëmundje kronike", tha drejtoresha Hana. Nga ana tjetër, zv.ministri Ivanaj theksoi se "të gjitha shpenzimet do të merren përsipër nga qeveria edhe për barnat që nuk janë në listë". Ivanaj porositi mjekët të vazhdojnë, sikurse kanë bërë deri tani, të japin barna për të gjithë banorët". Sipas mjekëve, deri tani nuk kanë pasur asnjë problem dhe medikamentet madje janë me shumicë edhe falë ndihmave të organizatave të ndryshme.

Aktualisht, në shtëpitë e pushimit në Durrës janë 686 banorë, nga të cilët 274 janë fëmijë të moshës nga 0 deri në 18 vjeç. "Problemet kryesore shëndetësore të të sëmurëve që janë kronikë janë hipertensioni, si dhe ka raste të epilepsisë apo sëmundjeve psikike. Ndërkohë, rastet më të shpeshta për personat që nuk vuajnë nga sëmundje kronike janë neurozat te të rriturit dhe kryesisht bronkiti alergjik i stinës te fëmijët. Megjithatë, këto ditë, situata paraqitet shumë më e qetë se ditët e para pas tragjedisë", tha mjekja Fatbardha Konomi, e cila jep shërbim në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në tri pikat shëndetësore të hapura për këta banorë, pikërisht në vendqëndrimin e tyre në këto shtëpi pushimi, shërbimi është 24 orë. Aktualisht, shërbejnë 10 mjekë dhe disa infermiere, të ndarë në tri turne për çdo nevojë shëndetësore të banorëve. Këtij personeli shëndetësor të vendosur nga ISKSH-ja i bashkohet në orët e pasdites edhe një staf i specializuar mjekësh nga spitali i Durrësit, si dhe gjatë gjithë ditës psikologë e psikiatër të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjekët, aktualisht, kryejnë vizita të përditshme te banorët dhomë më dhomë dhe për çdo rast në këto qendra janë ambulancat e spitalit. Pas hapjes së librezave shëndetësore për disa pacientë kronikë, ka nisur dhe dhënia e barnave me rimbursim për ata. Për të gjithë të tjerët po jepet shërbimi imediat me barna, të cilat janë në sasi të konsiderueshme në pikat shëndetësore të ngritura në këto shtëpi pushimi, edhe falë donacioneve të ndryshme.

Kujtesë

Rreth 300 të plagosur në Gërdec

Kanë qenë rreth 300 të plagosur që janë trajtuar në dy spitalet e mëdhenj të Tiranës. Më datë 15 mars, në këto dy spitale, janë trajtuar për djegie, probleme me prerje, çarje, probleme dëgjimi apo shikimi, një pjesë e mirë e banorëve. Ata që kanë qenë më rëndë janë dërguar në spitalet në Zvicër, Itali dhe Greqi.

Një pjesë e mirë e të plagosurve janë jashtë rrezikut, por pesë persona kanë gjetur vdekjen në spitalet e huaja. Djegiet e tyre kanë qenë të thella dhe të rënda, kështu që as trajtimi i specializuar nuk ka mundur dot t‘i kthejë në jetë të djegurit.

Deri dje janë numëruar 24 të vdekur, persona të cilët janë identifikuar me anë të analizave të ADN-së.

Numri i të dërguarve në spitalet e huaja është 23 persona. Por vendet fqinje nuk kanë dhënë vetëm asistencë mjekësore, por edhe ndihma, medikamente apo edhe njësi gjaku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›