Emigrantët shqiptarë, dy muaj lëvizje "pa letra"
Ministria e Brendshme greke bëri të ditur qarkoren për lëvizjen e lirë të emigrantëve me rastin e festave të Pashkëve. Shkresa e firmosur prej ministrit të Brendshëm, Prokopis Pavllopulos, u është dërguar të gjitha drejtorive të policisë helene. Ashtu si çdo vit, Ministria e Brendshme greke njofton për lejimin e lëvizjes së lirë për të gjithë emigrantët, dokumentet e të cilëve kanë skaduar dhe janë në proces rinovimi. Sipas kësaj qarkoreje, emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi do të jenë të lirë të lëvizin në drejtim të Shqipërisë, prej datës 20 mars deri më 31 maj 2008. Në qarkore, sqarohet se për arsye humanitare, që kanë lidhje me tragjedinë e Gërdecit, emigrantëve shqiptarë iu dha afati më i gjatë i lejes së lëvizjes së lirë. Për të përfituar ata duhet të kenë me vete, pasaportë të tipit të ri, të vlefshme; dokumentin e lejes së qëndrimit, që ka skaduar; kërkesën për rinovim me ngjyrë blu të lejes së qëndrimit, që të vërtetojë se poseduesi i kësaj lejeje ka nisur procedurën e rinovimit; për rastet e veçanta të procedurave të rinovimit, duhet të ketë me vete të gjitha dokumentet që kanë lidhje me sqarimin e çështjes për rastin konkret. Së bashku me urimin për Pashkë të gëzuara Ministria e Brendshme greke i lutet të gjithë përfituesve nga kjo qarkore të respektojnë afatet e vendosura, pasi vihet re se jo pak emigrantë i shkelin ato, duke krijuar situatë jo të këndshme nëpër pikat kufitare.