E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja përfshin për herë të parë në konkurrim gjyqtarët ushtarakë



Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përcaktuar procedurën që do të ndjekë për emërimet e gjyqtarëve në vendet bosh, të cilat janë krijuar në gjykatat që janë cilësuar si Gjykata Karriere. Sipas një njoftimi zyrtar të zbardhur dje në faqen zyrtare të KLD-së, thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi dhe paraqiti mendimet mbi kriteret që duhet të ndiqen nga KLD-ja në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për emërime dhe transferime në vendet vakante të shpallura publikisht nga Këshilli pranë gjykatave të apelit Durrës, Tiranë dhe Vlorë, në përfundim përcaktoi kriteret dhe procedurën e votimit, si më poshtë vijon.
Procedura
Për plotësimin e vendeve vakante të sipërcituara nuk do të realizohet vlerësimi i aftësive të tyre profesionale me procedurë të përshpejtuar. Përsa u përket kandidatëve për në gjykatat e apelit që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Lartë apo funksione të tjera shtetërore, kërkesat e tyre do të shqyrtohen në mbledhjen plenare të Këshillit, duke iu nënshtruar konkurrimit njëherazi me kandidatët e tjerë. Në konkurrim për emërim apo transferim në këto gjykata të apelit do të përfshihen kandidatët, të cilët ushtrojnë detyrën e gjyqtarit në ato gjykata ku me ligje të posaçme u është caktuar një mandat, si dhe kryetarët e gjykatave që ushtrojnë këtë funksion prej me pak se katër vitesh. Ish-gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak që kanë paraqitur kërkesë për emërim në gjykatat e apelit të sipërcituara, do t’i nënshtrohen konkurrimit njëherazi me kandidatët e tjerë.
Gjyqtarët e suprimuar
Ndërsa për gjyqtarët e tjerë të asaj gjykate, tashmë të suprimuar, Këshilli do të vendosë kryesisht emërimin në vendet vakante në një mbledhje të ardhshme. Të drejtën për të kandiduar në vendet vakante në gjykatat e apelit nuk e kanë shtetasit që aktualisht nuk kanë statusin e gjyqtarit. Për rrjedhojë, kjo kategori nuk do të përfshihet në konkurrim. Në listat e votimit do të pasqyrohen me një shenjë të posaçme kandidatët që pak kohë më parë kanë marrë transferim apo propozim për emërim nga Këshilli. Kërkesat për transferime dhe emërime në gjykatat e apelit do të trajtohen njëkohësisht. Procedura e votimit për transferime dhe emërime në këto gjykata të apelit do të jetë e njëjtë si në emërimet apo transferimet paraardhëse të realizuara nga Këshilli. KLD-ja ka vendosur të pushojë procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Nevrije Halo, pas tërheqjes nga ministri i Drejtësisë së kërkesës për procedim disiplinor ndaj kësaj gjyqtareje.

Banda e Durrësit, dëshmon pronari i makinës me të cilën u vra Dritan Sallaku

Makina që u përdor nga djemtë e grupit të Lulzim Berishës për të vrarë Dritan Sollakun në Durrës, në tetor 1998, ka qenë pronë e shokut të tij. Ky fakt, që prej kohësh kërkon ta zbardhë Akuza, doli dje gjatë dhënies së dëshmisë nga shtetasi Shpëtim Xhilaga. Dëshmitari pretendoi se makinën ia kishin vjedhur në tetor të vitit 1998, por nuk e dinte në çfarë rrethanash dhe në cilin vend. Madje ai asnjëherë nuk ishte interesuar për makinën e vjedhur, duke i thënë gjykatës se nuk e kishte problem për aq lekë të humbura, pasi fitonte aq shumë në një ditë, sa nuk i numëronte dot. Më tej, Shpëtim Xhilaga tha se djali i tij, Denis Xhilaga, ishte shumë shok me Lulzim Berishën, ndërsa ky vetë kishte pasur miqësi me Denis Ginën. Gina dhe Berisha kanë qenë kundërshtarë dhe mes tyre ka pasur kontradikta. Makina tip “BMW” me ngjyrë të zezë u gjet e braktisur në Durrës dhe brenda saj ishin edhe faturat e lokalit “Berluskoni” që menaxhonte Shpëtim Xhilaga dhe djali i tij. Një fakt tjetër që doli nga dëshmitari ishte edhe vajtja e djalit të tij dhjetë ditë para vrasjes së Dritan Sollakut në Zvicër dhe më datë 21 tetor, kur u kthye, pritja me makinën e Ministrisë së Mbrojtjes që drejtohej nga shoqëruesi i Luan Hajdaragës. Xhilaga tha dje se i kishte kërkuar vetë shoqëruesit të Hajdaragës të shkonte me të për të pritur djalin. Në Rinas, ai, së bashku me djalin, është marrë nga policia e Komisariatit Nr. 3e dhe është vënë në dijeni për ngjarjen që kishte ndodhur në Durrës. Dëshmitari bëri një ballafaqim edhe me Adriatik Colin. Ai tha se nuk e njihte Colin, por ky i fundit e kundërshtoi duke i thënë se në kohën kur janë takuar të dy ka qenë me flokë. Aktualisht, djali i dëshmitarit dhe Geri Baja, personi që ka pasur makinën që iu grabit, ndodhen në Itali dhe janë në listën e dëshmitarëve të Akuzës. Më tej procesi vijoi me dëshmitarin Gazmend Resuli. “Kam lidhje krushqie me Lulzim Berishën dhe Plaurent Dervishajn. Bashkëshorti i motrës sime Laura, Redinel, është vëllai i të pandehurit Plaurent Dervishaj. Kunati im ka jetuar me prindërit e tij, Njazi dhe Liljana Dervishaj, në një apartament në hyrje të Durrësit, kati i parë. Jam vënë në dijeni të një ngjarjeje të trishtueshme për disa persona të maskuar që kanë sulmuar banesën e të ndjerit Najzi Dervishaj, ku jetonte edhe motra ime. Atë ditë jam lajmëruar nga motra ime, nga dreka. Kam shkuar i alarmuar për të parë se ç’po ndodhte. Shoh një masakër të vërtetë. Xhamat e brendshme të orendive të shtëpive, të thyera, njerëz të frikësuar. Kishte shenja plumbash kudo. Suvaja e murit ishte ciflosur. Goditja kishte ardhur nga pjesa perëndimore, në dhomën e qëndrimit. Dritan Sallakun nuk e kam njohur. Pas ngjarjes motra ime ka emigruar në Amerikë, ku ka kërkuar azil politik”, - tha dëshmitari. Në kundërshtimin e dëshmisë prokuroria shtoi se autorët e kësaj ngjarjeje mund të ketë qenë grupi i Marsel Sotirit.

Banda e Lushnjës, mbrojtja heq dorë nga pyetja e Ilir Banos

Procesi për bandën e Lushnjës vijoi dje me kërkesat e mbrojtjes në lidhje me dëshmitarët që do të thërrasë në seancat në vazhdim. Ndërsa u dha fund dëshmitarëve të Akuzës, mbrojtja vendosi të heqë dorë nga thirrja si dëshmitar të Ilir Banos, deputetit të PD-së. Më tej seanca vijoi me administrimin e provave shkresore. Institucioni i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka sjellë prova të pakontestueshme për vrasjet e Nimet Zenelit, Masar Aliut, Idajet Beqirit, Luan Bilbilit, Xhevdet Demirit, vrasje që kanë ndodhur gjatë viteve 1997-1998. Më 13 shkurt të vitit 1998 u ekzekutua Nimet Zeneli, vetëm 9 ditë më vonë u ekzekutuan Mazar Aliu dhe Idajet Beqiri. Këto vrasje u shoqëruan me atë të Luan Bilbilit më 18 gusht 1988. Të pandehurit e bandës së Lushnjës, Enver Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Rexhep Gina, Eduard Demiri, Agur Musaka, janë të proceduar nga prokuroria. Njëri prej të pandehurve, Agur Musaka, i cili është shpallur në kërkim, do të gjykohet nga Drejtësia shqiptare në mungesë. Agur Musaka është njëri prej anëtarëve të fundit të përfshirë në bandën e Lushnjës. Musaka akuzohet për veprën penale të shkatërrimit të pronës në emër të bandës.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›