Tre persona i japin fund jetës duke u vetëflijuar
Artan CENA
TIRANË - Tre persona i kanë dhënë fund jetës brenda 24 orëve. Ngjarjet e rënda kanë ndodhur në Tiranë, Durrës dhe Pogradec. Viktima të vetëvrasjeve ishin dy gra dhe një burrë. Ngjarja e parë ka ndodhur në qytetin e Pogradecit, ku një 60-vjeçar nga Korça i ka dhënë fund jetës duke u hedhur në liqen. Më pas, një vajzë e re, 22 vjeçe, ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak, Tiranë, pasi tri ditë më parë kishte pirë helm, pikërisht për t’i dhënë fund jetës. Ndërsa ngjarja e fundit ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në qytetin e Durrësit. Një grua është vetëhedhur nga kati i 12-të i një pallati dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas përplasjes me asfaltin e rrugës. Të tria viktimat, sipas burimeve policore, ishin persona që vuanin nga depresioni, por nuk janë thënë ende shkaqet se nga çfarë arsyesh ata kishin kaluar në këtë gjendje të rëndë.
Vdes e reja
Ka humbur jetën ditën e djeshme në Spitalin Ushtarak të Tiranës vajza 22-vjeçare, e cila është vetëhelmuar tri ditë më parë në Bathore, në periferi të Tiranës. Sipas burimeve të Policisë, e reja Sabajete Peposhi, banuese në Bathore, ishte dërguar në spital tri ditë më parë nga familjarët e saj pasi kishte konsumuar lëndë helmuese në kushtet e depresionit të rëndë nervor. Shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë vdekja pak kohë më parë e bashkëshortit të 22-vjeçares, e cila së fundi kishte humbur edhe një bursë studimi në Angli, pasi familja nuk kishte mundësi financiare për ta mbështetur. Vajza kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë tri ditë më parë, por përpjekjet e mjekëve për ta mbajtur në jetë dështuan mëngjesin e djeshëm, kur 22-vjeçarja është ndarë tragjikisht nga jeta. Familjarët kanë akuzuar dhe mjekët për neglizhencë gjatë mjekimit.
Hidhet nga pallati
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi gjatë ditës së djeshme. Një grua 45-vjeçare i ka dhënë fund jetës pasditen e djeshme në Durrës, pasi është hedhur për shkaqe ende të paqarta nga kati i 12-të i një pallati duke kryer vetëvrasje. Burime zyrtare të Policisë së Durrësit kanë thënë se viktima është shtetasja N. Bakaj, 45 vjeçe, banuese në ish-shëtitoren “Vollga” në qytetin bregdetar. Uniformat blu kanë bërë të ditur se, se viktima është hedhur nga një lartësi prej 30-35 metrash dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi ka rënë në asfaltin e sheshit para pallatit ku ndodhi ngjarja. Sipas hetimeve të policisë, viktima ishte grua e martuar dhe jetonte në Lagjen Nr. 1 në Durrës. Nga verifikimet e kryera prej hetuesve pas ngjarjes së rëndë, ka rezultuar se 45-vjeçarja po kurohej prej muajsh nga depresioni.
Mbytet në liqen
I gjeturi i pajetë dy ditë më parë në liqenin e Ohrit, Pogradec, Koço Stojani, mësohet se është vetëmbytur. Korçari, siç ka bërë të ditur policia lokale, ishte larguar nga banesa një ditë para ngjarjes dhe familjarët nuk kishin informacione për të. Policia e Korçës tha se nga këqyrja e kufomës nuk është konstatuar ndonjë shenjë dhune ose dëmtime të tjera me mjete të forta ose të mprehta. Nga deklarimet e familjarëve viktima vuante nga sëmundje mendore dhe ishte larguar nga banesa. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Pogradecit për hetime të mëtejshme, për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”.
30 Prill 2010