E Diel, 1 Nëntor 2026

Lotaria Amerikane, profesionet që kualifikohen për të marrë vizën



Jonida Tashi

Formimi profesional dhe eksperiencat e punës kanë një peshë të madhe në përzgjedhjen e aplikantëve fitues të Lotarisë Amerikane. Organizatorët e kësaj Lotarie në Kentaki kanë përcaktuar disa kritere, të cilat kanë të bëjnë me formimin profesional dhe edukimin e çdo personi, të cilat ndikojnë pozitivisht në vlerësimin e fituesve. Për këtë arsye, autoritetet amerikane kanë përcaktuar se çfarë punësimi kualifikohet për Programin e Vizave të Diversitetit (DV). Kështu, për të vendosur pranueshmërinë bazuar në eksperiencën e punës, do të përdoret baza e të dhënave të Departamentit Amerikan të Punës O*Net OnLine. Kjo bazë të dhënash grupon eksperiencën e punës në pesë “zona pune”. Megjithëse ka shumë kategori punësimesh të listuara në këtë bazë të dhënash, vetëm disa prej tyre kualifikohen për Programin e Vizave të Diversitetit. Për t’u kualifikuar për një vizë diversiteti në bazë të punësimit, ju duhet të keni, brenda 5 viteve, 2 vjet eksperiencë në një punësim që është projektuar në Zonën e Punës 4 ose 5, e klasifikuar me një shtrirje të përgatitjes specifike 7.0 ose më lart.
Arsimimi
Sipas udhëzimit të Ambasadës, për t’u regjistruar në lotari ju duhet të plotësoni kërkesat e edukimit ose të eksperiencës së punës të programit të lotarisë. Edukim ose punë e kualifikuar nënkupton që ju duhet të keni një edukim të mesëm ose të barabartë, të përcaktuar si 12 vjet edukim fillor dhe të mesëm, të përfunduar plotësisht (pra të vërtetoni me bindje që keni mbaruar 12 vjet shkollë të plotë); ose të keni 2 vjet eksperiencë pune brenda 5 viteve të shkuara në një punësim që kërkon të paktën 2 vjet trajnim ose eksperiencë për të ushtruar. Një “edukim i mesëm ose i ngjashëm” përkufizohet si përfundim i suksesshëm i një edukimi 12 vjeçar elementar dhe sekondar në Shtetet e Bashkuara ose përfundim i suksesshëm i një kursi edukimi formal elementar dhe sekondar i krahasuar me një edukim shkollor të mesëm në Shtetet e Bashkuara. Vetëm kurse studimi formale e plotësojnë këtë kërkesë; programe me korrespondencë apo certifikata të ngjashme si: diplomë pa shkëputje nga puna, ose me kohë të pjesshme nuk pranohen. Prova të dokumentuara përsa i përket edukimit dhe punës duhet t’i dorëzohen zyrtarit konsullor intervistues në kohën e intervistës për vizë. Organizatorët e lotarisë kanë përshtatur kriteret që përdoren për shtetasit amerikanë në vlerësimin e performancës së të huajve që duan të punojnë në tregun amerikan.
Karakteristikat
Karakteristikat e emigrantit-punonjës kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë që mund të ndikojë në performancën dhe kapacitetin e njohurive të marra dhe aftësitë që kërkohen për një punë efektive. Këto përfshijnë elemente të tilla si aftësitë individuale, interesat profesionale në rritje, parametrat e vlerës së punës në zhvillim e sipër dhe stilin e punës. Te kërkesat e punonjësve përfshihen aftësitë bazë që kanë të bëjnë me zhvillimin e kapaciteteve, me shtimin e aftësive në rastet e përballjes me punë të ngjashme dhe kërkesat për rritjen e edukimit, e cila duhet të jetë në përshtatje me vendin e punës. Ndër pikat e vlerësueshme janë edhe kërkesat që kanë të bëjnë me eksperiencën e punës, si aktivitetet e mëparshme: punët që ka bërë dhe trajnimet, aftësitë thelbësore në zhvillim që lehtësojnë mësimin ose përshpejtojnë përvetësimin e njohurive, zhvillimin e aftësive në përshtatje me punët që do të bëjë. Po ashtu edhe licencat, certifikatat apo trajnime të tjera të fituara. Këtu vlerësohen edhe kredencialet apo vendet e tyre në organizata apo agjenci të ndryshme. Në kërkesat e shtruara janë edhe informacionet e veçanta të profesionit, si detyrat, ku përcaktohen pozicionet specifike profesionale; përdorimi i mjeteve dhe i teknologjive në zhvillim, ku pa dyshim këto kanë të bëjnë me përdorimin e programeve kompjuterike dhe teknologjive të reja, të domosdoshme për një vend pune. Në kriteret e përcaktuara janë edhe karakteristikat e fuqisë punëtore, që përcaktojnë dhe përshkruajnë tiparet e përgjithshme të profesioneve që mund të ndikojnë në kërkesat profesionale, si informacioni i tregut të punës dhe perspektiva profesionale në zhvillim. Të dhënat standarde për një person që do të punojë në tregun amerikan kanë të bëjnë edhe me sjelljen e një personi në punë, përballimi i më shumë se një pune, karakteristikat e organizatës apo kompanisë ku do të punojë apo që ka punuar edhe më parë, deri te faktorët fizikë dhe socialë që ndikojnë në natyrën e punës.

Njoftim me rëndësi, si kontrollohet profesioni i kualifikuar
Aplikuesit, të cilët, do të tërhiqen si fitues së vizave tw lotarisë duhet t’i plotësojnë disa kushte të përcaktuara arsimore dhe ato të përvojës së punës. Pagesa nuk mund të kthehet edhe nëse zyrtari i sektorit konsullor vendos se ju mungon kushti i shkollimit dhe përvojës së punës për t’u kualifikuar për vizë lotarie. “Aplikuesi bartës” – aplikuesi në emër të të cilit është bërë tërheqja fituese do të mund të kualifikohet për vizë në qoftë se e plotëson njërin nga kushtet e poshtëshënuara: përfundim i shkollës së mesme ose ekuivalente me të - i definuar si shkollim i suksesshëm 12 vjeçar i shkollës fillore dhe shkollës së mesme, që përfshin 4 vite të shkollës së mesme; ose dy vjet përvojë pune gjatë pesë viteve të kaluara në profesion që kualifikohet. Të gjitha profesionet nuk kualifikohen. Për të kuptuar nëse profesioni i juaj kualifikohet, konsultoni faqen e internetit, O*NET, të Departamentit për Punë në këtë adresë: http://online.onetcenter.org/. Në faqen kryesore kërkoni profesionin tuaj duke shfrytëzuar mundësinë “Find Oçupations” ose duke kërkuar me fjalë kyçe sipas llojit të punës. Pastaj zgjidhni “Job Zone”. Përvoja e juaj e punës kualifikohet vetëm në qoftë se profesioni i juaj gjendet si “Job Zone” 4 ose 5 dhe në qoftë se klasifikohet si Përgatitje për Profesion të Veçantë “Specific Vocational Preparation” (SVP) e ranguar në 7.0 ose më lartë. Në qoftë se ju nuk mund të demonstroni se kualifikoheni për vizë, sepse nuk e plotësoni njërin nga këto dy kushte, atëherë mos e parashtroni kërkesën. Nëse ju refuzohet viza, pagesa e juaj nuk do të kthehet. Në qoftë se ndonjë prej dokumentacioneve tuaja zbulohet se është falsifikuar, ju do të keni ndalesë të përhershme për vizë të SHBA.

Vizat e imigracionit të mbështetura në punësim
Akti i Imigracionit dhe Kombësisë ofron çdo vit jo më pak se 140 000 viza imigracioni të bazuara në punësim, të cilat ndahen në pesë kategori preferencash. Ato mund të kërkojnë certifikatë punësimi nga Departamenti i Punës në SHB (DOL), dhe plotësimin e një kërkese tek Departamenti i Sigurisë së Vendit pranë Shërbimeve për Shtetësinë dhe Imigracionin në SHB (USCIS).
Preferenca e parë e punësimit (E1)
Punëtorët parësorë zënë 28.6 për qind të kufirit vjetor botëror. Të gjithë punëtorët parësorë duhet të jenë
përfituesit e një formulari të aprovuar I-140, Kërkesë Imigracioni për Punëtorë të Huaj, të dorëzuar pranë
USCIS. Brenda kësaj preference ka tre nën-grupe: Persona me aftësi të jashtëzakonshme në shkenca, art, edukim, biznes, ose atletikë. Aplikantët në këtë kategori duhet të kenë dokumentacion të gjerë që tregon mbështetje kombëtare ose
lavdërime ndërkombëtare dhe njohje në fushën e ekspertizës. Këta aplikantë nuk kanë nevojë për një ofertë të caktuar pune për sa kohë që hyjnë në SHBA dhe vazhdojnë punën në fushën ku kanë aftësitë e jashtëzakonshme. Këta aplikantë mund të dorëzojnë vetë kërkesën e tyre pranë USCIS, dhe jo nëpërmjet punëdhënësit; Profesorë dhe kërkues të shkëlqyer me të paktën tre vjet eksperiencë në mësimdhënie ose kërkime, të njohur në rang ndërkombëtar. Për këtë klasifikim nuk kërkohet certifikatë pune, por punëdhënësi i mundshëm duhet të ofrojë ofertën e punës dhe të dorëzojë kërkesën pranë USCIS; drejtues dhe menaxherë të caktuar që kanë qenë të punësuar, për të paktën një nga tre vitet e
mëparshme, nga partnerë të jashtëm, prindër, nëpunës ose degë të punëdhënësit të SHBA-së. Aplikanti duhet të vijë në detyrë me kapacitet si menaxher ose drejtues. Për këtë klasifikim nuk kërkohet certifikatë punësimi, por punëdhënësi i mundshëm duhet të ofrojë ofertën e punës dhe të dorëzojë kërkesën pranë USCIS.
Preferenca e dytë e punësimit (E2)
Profesionistët me grada të larta, ose persona me aftësi të shkëlqyera në arte, shkenca, ose biznes zënë 28.6 për qind të kufirit vjetor botëror, si edhe vizat e papërdorura nga preferenca e parë e punësimit. Të gjithë aplikantët e preferencës së dytë duhet të kenë certifikatë punësimi të aprovuar nga DOL, ose Plan A Titujsh, ose të vendosin se ata kualifikohen për një nga profesionet me mangësi në Programin Pilot të Informacionit mbi Tregun e Punës (më vonë). Këtu kërkohet një ofertë për punë dhe punëdhënësi
amerikan duhet të dorëzojë një kërkesë për aplikantin. Të huajt mund të aplikojnë për përjashtim nga oferta e punës dhe certifikata e punës nëse përjashtimi do të ishte në interes kombëtar, dhe në këtë rast i huaji mund të dorëzojë kërkesën, formularin I-140, së bashku me faktet e interesit kombëtar. Në këtë kategori ka dy nën-grupe: profesionistë me grada të larta (më shumë se diplomë universitare), ose një diplomë universitare dhe të paktën 5 vjet eksperiencë në rritje në profesion; persona me aftësi të shkëlqyera në arte, shkenca ose biznes. Aftësi e shkëlqyer do të thotë të ketë një gradë ekspertize të theksuar mbi atë çfarë haset zakonisht në fushën e aktiviteteve.
Preferenca e tretë e punësimit (E3)
Punëtorë të kualifikuar, profesionistë me diplomë universitare dhe punëtorë të tjerë zënë 28.6 për qind të
kufirit vjetor botëror, si edhe vizat e papërdorura nga preferenca e parë dhe e dytë e punësimit. Të gjithë aplikantët e preferencës së tretë kërkohet të dorëzojnë kërkesën e aprovuar I-140 nga punëdhënësi i ardhshëm. Të gjithë këtyre punëtorë u kërkohet certifikatë punësimi, ose Plan A Titujsh, ose fakte se ata kualifikohen për një nga kualifikimet me mangësi në Programin Pilot të Informacionit mbi Tregun e Punës. Në këtë kategori ka tre nën-grupe: punëtorë të kualifikuar janë persona të aftë të ushtrojnë një zanat që kërkon të paktën dy vjet trajnim ose eksperiencë; profesionistë me diplomë universitare që i përkasin një profesioni me të paktën një diplomë
universitare; punëtorët e tjerë janë ata persona të aftë për të mbushur pozicionet që kërkojnë më pak se dy vjet trajnim ose eksperiencë.
Preferenca e katërt e punësimit (E4)
Imigrantët e veçantë zënë 7.1 për qind të kufirit vjetor botëror. Të gjithë këta aplikantë duhet të jenë
përfitues të një I-360 të aprovuar, Kërkesë për Imigrantë të Veçantë, me përjashtim të punonjësve të qeverisë së SHBA-së, jashtë territorit vendas që duhet të përdorin formularin DS-1884. Bashkëshortë dhe fëmijët e veçantë mund të shoqërojnë ose të ndjekin për t’u bashkuar me imigrantin e veçantë kryesor. Lloje të ndryshme të imigrantëve të veçantë kryesorë të pranuar nga Ligji i Imigracionit janë listuar më poshtë: transmetues në SHBA, i punësuar nga Zyra Ndërkombëtare e Transmetimit të Bordit Transmetues të
Guvernatorëve ose një përfitues i kësaj organizate; klerik feje; punonjës të veçantë ose ish-punonjës të qeverisë së SHBA-së jashtë vendit; punonjës të misionit në Hong Kong; ish-punonjës të veçantë të Kompanisë Panama Canal ose qeverisë Canal Zone; ish-punonjës të veçantë të qeverisë së SHBA-së në Panama Canal Zone; ish-punonjës të veçantë të Kompanisë Panama Canal Company ose qeverisë Canal Zone më 1 prill 1979; interpretë dhe përkthyes me kombësi irakiane ose afgane që kanë punuar drejtpërsëdrejti me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara ose nën autoritetin e shefit të misionit si përkthyes ose interpretë për një periudhë jo më pak se 12 muaj dhe që përmbushin kërkesat. Ky klasifikim ka një kufi numerik vjetor prej 500 vizash; të diplomuar mjekësor të huaj të caktuar (vetëm rregullime); punonjës të caktuar të dalë në pension nga organizata ndërkombëtare; bashkëshortë të caktuar të një punonjësi të vdekur të një organizate ndërkombëtare; persona të mitur në ngarkim të Gjykatës (pa anëtarë të tjerë të familjes); i huaj, i rekrutuar jashtë Shteteve të Bashkuara që ka shërbyer ose është listuar për të shërbyer
në Forcat e Armatosura të SHBA-së; civilë të caktuar të dalë në pension të NATO-6; bashkëshortë të mbijetuar të punonjësve civilë të vdekur të NATO-6; i huaj përfitues i aplikimit të kërkesës ose certifikatës së punës dorëzuar para 11 shtatorit 2001, nëse kërkesa ose aplikimi është anuluar për shkak të aktit terrorist të 11 shtatorit 2001; punonjës fetarë të caktuar.
Preferenca e pestë e punësimit (E5)
Investuesit e krijimit të punësimit zënë 7.1 për qind të kufirit vjetor botëror. Të gjithë aplikantët duhet të
dorëzojnë një formular I-526, Kërkesë Imigracioni nga Sipërmarrës i Huaj pranë USCIS. Për t’u kualifikuar,
një i huaj duhet të investojë ndërmjet SHBA-së 500 000 dollarë dhe 1 000 000 dollarë, në varësi të ritmeve të punësimit në zonën gjeografike, në një ndërmarrje tregtare në Shtetet e Bashkuara, e cila krijon të paktën 10 vende të
reja pune me kohë të plotë për shtetas amerikanë të huaj me qëndrim të përhershëm, ose imigrantë të tjerë të ligjshëm, pa përfshirë këtu investuesin dhe familjen e tij/saj.

30 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›