E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-ja pezullon gjyqtaren e Bandës së Lushnjës

Pezullohet nga detyra kryegjyqtarja e Bandës së Lushnjës, e akuzuar nga prokuroria për "korrupsion pasiv". Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka miratuar dje kërkesën e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit dhe pezullimin nga detyra të gjyqtares së Krimeve të Rënda, Balili, pasi nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, dyshohet se është implikuar në një aferë mitëmarrjeje së bashku me bashkëshortin e saj, Aleksandër Plepi, edhe ky i pezulluar nga detyra si prokuror në Tiranë. Burime zyrtare nga KLD-ja thanë se vendimi sjell lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Durrës, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal "Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë".

Dosja në Durrës
Me një mbledhje maratonë, KLD-ja ka diskutuar kërkesën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për imunitetin e gjyqtares, pasi ka dyshime se gjyqtarja, duke bashkëpunuar me bashkëshortin e saj, prokurorin e pezulluar, Aleksandër Plepi, u kanë premtuar të afërmve të të dënuarit Besnik Braka, kundrejt një shume prej 50 mijë euro, uljen e dënimin. I akuzuari po gjykohej për trafik droge dhe kishte autorizuar familjarët e tij që të ndërmjetësonin në gjykatë e prokurori. Disa muaj më parë, Policia e Shtetit ndërmori operacionin e koduar "Ndërmjetësimi" dhe ekzekutoi masat e sigurimit "arrest në shtëpi" për Aleksandër Plepin, 35 vjeç, me arsim të lartë, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë e dy të tjerë. Ata u ndaluan për "ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka në dorë hetimet për këtë rast, është dokumentuar se shtetasit A.V., dhe P.Dh., kanë ndërmjetësuar nëpërmjet prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Aleksandër Plepi, për të ulur dënimin e të arrestuarit Besnik Braka, i cili gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Këta shtetas i kanë ofruar prokurorit një shumë të konsiderueshme parash, përkatësisht 50 mijë euro, me qëllim që të ndërmjetësonte në gjykatë që t‘i jepej një dënim i ulët shtetasit Besnik Braka. Sipas të dhënave të akuzës së Durrësit, Plepi është bashkëshorti i gjyqtares, Marsela Balili. Nga të dhënat hetimore mësohet se gjatë shpalljes së vendimit, gruaja e prokurorit dënoi me 14 vjet burg dhe 300 mijë lekë gjobë të pandehurin Besnik Braka, 4 vjet më pak nga sa kërkoi prokurori gjatë konkluzioneve përfundimtare.

Pezullimi dhe zëvendësimi
Gjatë mbledhjes së djeshme të KLD-së, që është zhvilluar me dyer të mbyllura, menjëherë pas marrjes së vendimit, një korrier ka shkuar me urgjencë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Me një zarf në dorë është paraqitur para zyrës së gjyqtares Balili dhe i ka komunikuar vendimin e marrë. Krejt e shtangur, gjyqtarja nuk ka marrë pjesë në asnjë nga gjyqet e parashikuara ku ishte pjesë e Kolegjit Penal. Duke mos dashur të krijonin një kolaps në Gjykatën e Krimeve të Rënda, KLD-ja e ka zëvendësuar gjyqtaren Balili nga të gjitha proceset ku bën pjesë në Kolegjin Penal. Në procesin gjyqësor ndaj Bandës së Lushnjës, ajo është zëvendësuar nga gjyqtari Bujar Krasniqi, i cili është gjyqtar në shkallën e parë. Ndërkohë, anëtarët e KLD-së e kanë zëvendësuar edhe nga të gjitha vlerësimet e masave të sigurisë ndaj të pandehurit Dritan Dajti dhe Erges Xhaxhi që akuzohen për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Durrës. Sipas burimeve nga KLD-ja, nëse gjyqtarja Balili shpallet e pafajshme ajo do të emërohet menjëherë në vendin që kishte para pezullimit. Në të kundërt do të shkarkohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›