E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen vendet vakante në gjykata

Anëtarët e KLD-së kanë miratuar vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve, ndërsa është miratuar se lëvizjet e gjyqtarëve do të realizohen me pëlqimin e tyre. "Pjesë e rëndësishme e diskutimeve në këshill, ka qenë metodologjia për plotësimin e vendeve të krijuara në gjykatat e shkallës së parë, pas daljes së dekretit të Presidentit të Republikës ‘Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit‘" thuhet në njoftimin e KLD-së, i cili shton se në përfundim të këtij diskutimi, i cili ka qenë objekt trajtimi edhe në një mbledhje të mëparshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke konsideruar edhe mendimet e dhëna nga gjyqtarët, shoqatat e gjyqtarëve, si dhe mendimet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë në fushën e drejtësisë, vendosi të lejojë procedurën e kandidimit në pesë gjykata të shkallës së parë, në të cilat është rritur numri i gjyqtarëve në organikë, duke shpallur 22 vende vakante për gjyqtarë. Ky vendim i këshillit, u mundëson shprehjen e pëlqimit për t‘u transferuar gjyqtarëve në sistem, dhe shprehjen e pëlqimit për t‘u emëruar, personave që duan të kandidojnë për gjyqtarë. Në mbledhjen e djeshme, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, kundërshtoi procedurën e transferimit të gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Sipas burimeve, Nishani tha se kjo procedurë është e pabazuar në ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. "Ajo cenon parimin e patundshmërisë së gjyqtarit", theksoi numri një i drejtësisë dhe pas debatit, KLD pranoi këtë propozim të ministrit, si dhe vendosi të mos ketë transferim pa pëlqimin e gjyqtarëve, si dhe vendosi të shpallë vendet vakante në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore. Dje kanë qenë pjesë e rendit të ditës edhe disa procedime disiplinore, nga të cilat këshilli përfundoi shqyrtimin e dy prej tyre dhe konkretisht ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arian Aliaj, dhe Manjola Bejleri, me rrëzim të kërkesës së ministrit të Drejtësisë, ndërsa u shtynë për shkaqe të justifikuara, katër procedime të tjera disiplinore ndaj katër gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. KLD hodhi poshtë propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të Manjola Bejlerit ndaj së cilës ishte konstatuar një shkelje e rëndë për shkak të refuzimit të saj për të shqyrtuar një çështje gjyqësore prej 9 muajsh. Vetë KLD kishte konstatuar këtë shkelje dhe i kishte kërkuar ministrit të Drejtësisë fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares. Disa anëtarë të KLD-së votuan kundër propozimeve të ministrit të Drejtësisë.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›