KLD-ja po shndërron në pazar procedimin e gjyqtarëve

Dy muaj më parë u paralajmërua procedimi i 12 gjyqtarëve, janë “ndëshkuar” vetëm 5 prej tyre
TIRANE – KLD-ja e shndërron në “pazar” edhe procesin e promovuar më se dy muaj më parë, për procedimin disiplinor të 12 gjyqtarëve. Pas dy muajsh, me gjithë paralajmërimin për fillimin e një fushate të tipit “gjyqe popullore”, KLD-ja, ka pezulluar vetëm 2 gjyqtarë, ka shkarkuar 3 të tjerë, ndërsa vazhdon të mbajë nën sqetull, 7 gjyqtarë, që ende nuk i janë nënshtruar procesit të procedimit.
shtatë
Fushata e trumbetuar e KLD-ës
Në mbledhjen e datës 21 tetor 2008, KLD-ja, paralajmëroi fillimin e procedimit ndaj 12 gjyqtarëve të disa gjykatave të vendit. Për të realizuar këtë proces, KLD-ja njoftoi vetë se do të zhvendosnin mbledhjet e tyre të radhës në gjykatat ku edhe do të procedoheshin gjyqtarët.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë konkretisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave së Apelit, Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak, për të cilët, janë depozituar kërkesat për procedim pranë këtij Këshilli”, premtonte ky institucion në njoftimin zyrtar të datës 21 tetor 2008.
Kërkesat për procedimin e gjyqtarëve janë bërë nga Ministria e Drejtësisë, mbi bazën e inspektimeve të kryera nga Inspektorati i kësaj Ministrie dhe Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Burime zyrtare nga KLD bënë të ditur, se procedim disiplinor ishte kërkuar për gjyqtarët, Murat Lleshi, Mirela Mishgjoni, Rasim Doda, Gjin Gjoni, Nevrije Halo, Enkelejda Kashuri, Taulant Tafa, Alaudin Malaj, Meme Rexho. Përballë “rezistencës” së shumicës së anëtarëve të KLD-së, Ministria e Drejtësisë, ia ka arritur që të bëjë pjesë të procedimeve penale, edhe shkarkimin e mundshëm të gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naum Pejo, të Apelit Ushtarak që liruan Mihal Delijorgjin.
Sipas të njëjtit njoftim të datës 21 tetor 2008, të KLD-ës, mësohej se procedimi do të niste në datën 24 tetor 2008, në mbledhjen e radhës, e cila u zhvillua në rrethin gjyqësor Dibër.
Dështimi i fushatës së KLD-ës
Mbledhja e KLD-ës, e cila u zhvillua në pallatin e kulturës në Peshkopi në 24 tetor 2008, paralajmëroi farsën e fushatës së procedimeve ëpr 12 gjyqtarë. Injorimi që gjyqtarët e dominuar për procedim i bënë kësaj mbledhje, u pasua me injorimin që vetë KLD-ja i bëri procesit.
Ndërsa në mbledhjen e KLD-ës në Peshkopi, “gjyqi popullor”, u katandis që nga 12 procedime disiplinore që ishin parashikuar në rendin e ditës, të pezulloheshin nga detyra dhe t’i hiqte imunitetin vetëm dy gjyqtarëve, Vesel Bako, gjyqtar i Matit dhe Mirela Mishgjoni, gjyqtare e Vlorës.
Gjyqtarët e tjerë, së bashku edhe me mbrojtësit e tyre ligjorë, preferuan të injoronin mbledhjen e KLD-ës.
Në mbledhjen e KLD-ës të datës 28 tetor 2008, të zhvilluar në Tiranë, u shqyrtua dhe u votua “pro” kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj për procedimin disiplinor dhe për shkarkimin e Ylli Minkës, Naum Pejos dhe Shaqir Gradicës, tre gjyqtarëve të çështjes “Delijorgji”, të ish-Gjykatës së Apelit Ushtarak të Tiranës.
Ndërkaq KLD-ja me Vendimin Nr. 236, të datës 28 tetor 2008, shtyu për në mbledhjen e ardhshme, procedimin penal për 7 gjyqtarët e tjerë Rasim Doda, Gjin Gjoni, Nevrije Halo, Enkelejda Kashuri, Taulant Tafa, Alaudin Malaj dhe Meme Rexho
Megjithëse mbledhja e radhës, ishte ajo e djeshmja, në rendin e ditës nuk ishin objekti rendit të ditës, procedimi penal i paralajmëruar për 7 gjyqtarëve ët tjerë.
Gjyqtarët e paralajmëruar për procedim disiplinor
Shkarkuar
Shaqir Gradica,
Ylli Minka,
Naum Pejo
Pezulluar
Mirela Mishgjoni,
Murat Lleshi
Pa proceduar
Rasim Doda,
Gjin Gjoni,
Nevrije Halo,
Enkelejda Kashuri,
Taulant Tafa,
Alaudin Malaj,
Meme Rexho