KLD-ja sot vendos se si do të zgjidhen
Laureta Rryçi
Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të diskutojë në mbledhjen e sotme mbi mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave. Burime zyrtare pranë KLD-së pohuan dje për gazetën “Albania” se gjatë mbledhjes që pritet të zhvillohet sot janë vënë në rend të ditës dy çështje për t’u diskutuar. Zgjedhja e kryetarëve për vendet bosh si dhe shqyrtimi i rastit të gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi, për të cilin ministri Enkelejd Alibeaj ka propozuar përjashtim nga radhët e Gjyqësorit. Mandati i kryetarëve të gjykatave ka kohë që diskutohet në KLD për të bërë ndryshime.
Vendimi
Një mbledhje më parë, KLD-ja, si asnjëherë tjetër, mori vendimin në mënyrë unanime për largimin nga posti i kryetarit të gjykatës për të gjithë ata drejtues që kishin më shumë se katër vite në atë detyrë. Për pasojë, automatikisht 14 kryetarë gjykate ikën nga ky post. Në këto kushte, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të shpallë fillimin e procedurës për konkurrim. Trupave gjyqësore të secilës prej gjykatave ku janë shpallur vendet vakante u është lënë detyrë të paraqesin kandidaturat për konkurrimin në pozicionin drejtues në respektim të Nenit 6.2 dhe 6.3 të Vendimit Nr. 214/2, datë 12.07.2007, “Për funksionet drejtuese në gjykata”, i ndryshuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk limiton të drejtën e gjyqtarit për rikandidim, në procesin e konkurrimit nuk përjashtohen të kandidojnë edhe gjyqtarët që deri sot kanë qenë në pozicion të tillë drejtues.
Komandimi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që në vendet vakante të mësipërme për kryetar të gjykatës, të krijuara për shkak të mbarimit të mandatit katërvjeçar të ushtrimit të funksionit drejtues, kryetarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati, do të vazhdojnë në ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e kryetarëve që do të procedojnë me drejtimin e gjykatave të dy niveleve të para në Republikën e Shqipërisë, për një afat jo më shumë se tre muaj.
Box
Vendet bosh për të cilat do të diskutohet sot
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Shkodër
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Durrës
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Pukë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Tropojë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Berat
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Dibër
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Gjirokastër
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Kavajë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Krujë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Kukës
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Kurbin
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Lezhë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Mat
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Pogradec
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Faktit Elbasan
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Korçë
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Ushtarak
Vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda
20 Shkurt 2008