E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcaktohen kriteret për licencimin e shoqërive të ndërtimit

MPPTT-ja kërkon nga subjektet të gjithë dokumentacionin për rinovimin e licencave
Ervin Koçi

Shoqëritë e ndërtimit tashmë do të kenë kritere të reja për t’u licencuar. Ministria e Transporteve ka nxjerrë udhëzimin se cilat do të jenë kriteret për t’u licencuar nëse do të hapësh një firmë ndërtimi. Gjithashtu në kriteret e publikuara nga kjo ministri sqarohen edhe mënyrat e rifreskimit të licencës, kategoritë që përfitojnë, kushtet që duhet të plotësojnë drejtuesit teknikë, si dhe një sërë rregullash të reja që duhet të përmbushë subjekti që kërkon licencim. Kështu, MPPTT-ja u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve ndërtimore të licencuara si persona juridikë, vendas ose të huaj, që ushtrojnë veprimtari zbatimi punimesh në ndërtim në Republikën e Shqipërisë, që në mbështetje të Vendimit Nr.42, datë 16.2.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi“, kanë detyrimin që të dorëzojnë nëpërmjet postës në ministri dokumentacionin e nevojshëm për të kryer rikategorizimin dhe riklasifikimin e licencave. Në këtë udhëzim janë pasqyruar saktë edhe kategoritë dhe dokumentacioni që subjektet duhet të përmbushin për t’u licencuar, rilicencuar apo për shtesë kategorish. Qëllimi i kësaj rregulloreje është përcaktimi i organit përgjegjës, procedurave, kritereve për licencimin profesional për subjektet juridike që kryejnë veprimtari zbatuese ndërtimi, kategorizimi i punimeve për këto subjekte, klasifikimi i tyre, si dhe përcaktimi i të drejtave e përgjegjësive që ka subjekti i pajisur me licencë. Licencimi sipas kësaj rregulloreje është i detyrueshëm për çdo subjekt juridik ose fizik vendas ose të huaj, që ushtron veprimtari ndërtimore zbatuese në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht formës së organizimit të tij. Subjektet private e publike, që kryejnë investime në ndërtime me fonde private ose prokurojnë me fonde publike, kanë detyrimin për kontraktim vetëm me subjekte të licencuara, sipas kësaj rregulloreje.

Mënyra e klasifikimit

Shoqëria vendoset paraprakisht në nivelin (klasën) e pasqyruar në lidhjen nr. 4 ku përfshihet vlera e punimeve të kryera gjatë 4 viteve të fundit për kategorinë që klasifikohet. Shoqëria qëndron në të njëjtin nivel klasifikimi apo zbret në një më të ulët në varësi të pikëve që përfiton nga përvoja e drejtuesit teknik të shoqërisë për kategorinë që klasifikohet dhe pikët nga kapaciteti financiar nëpërmjet bilanceve, të llogaritura si në vijim. Llogaritja e pikëve për përvojën e drejtuesit teknik (vlerësimi maksimal 20 pikë) për çdo kategori kryhet nga komisioni mbështetur në: vitet e punës mbas diplomimit në degën universitare me 1 pikë për çdo 5 vjet përvojë (nga viti i diplomimit deri në atë të aplikimit) dhe jo më shumë se 5 pikë gjithsej. Punët e kryera në zbatim të objekteve ndërtimore, të cilat vlerësohen nga komisioni (jo më shumë se 1.5 pikë). Kur e njëjta shoqëri ka më shumë se 1 drejtues teknik për të njëjtin kategori punimesh për efekt të kategorizimit vlen pikësimi i drejtuesit teknik me pikësim më të madh: kur drejtuesi teknik me eksperiencën më të madhe për atë kategori ka 14 vjet që është diplomuar, ai merr 2.8 pikë dhe i shtohen pikët nga 1 deri në 15 që komisioni vlerëson për eksperiencën e tij bazuar në punët që ka kryer. Llogaritja e pikëve për kapacitetin financiar kryhet bazuar në bilancet “pozitive” (kur shoqëria ka rezultat me fitim). Pikët llogariten si mesatare e pikëve për 4 vitet e fundit, ku për secilin vit “pozitiv” përfitohen 20 pikë (vlerësimi maksimal 20 pikë). Në rast se shoqëria ka 2 vjet që është krijuar dhe vetëm për 1 vit nga këto ka pasur bilanc me fitim, atëherë ajo do të përfitojë; 1 x (20 pikë) / 2 vitet = 10 pikë. Shoqëria qëndron në të njëjtën kategori vetëm kur vlerësohet nga 21 pikë e lart me kusht që nga drejtuesi teknik të ketë përfituar të paktën 11 pikë. Në rast të kundërt, ajo zbret në një nivel klasifikimi më të ulët.

Licenca

Licenca jepet apo merret me anë të një komisioni të posaçëm që ngrihet për këtë çështje. Ai është dokumenti juridik dhe profesional, që i jep të drejtë disponuesit të saj të ushtrojë një veprimtari të caktuar. Aplikimi për licencë dhe dokumentet shoqëruese të saj dërgohen me postë në adresë të komisionit. Dokumentacioni duhet të jetë origjinal ose i njësuar me origjinalin. Në aplikim shënohet dhe adresa e saktë për komunikim mes subjektit dhe komisionit. Shoqëritë e huaja që aplikojnë për licencim njehsojnë licencën që disponojnë nga vendi i origjinës, duke zbatuar të njëjtat procedura për kategorizimin dhe klasifikimin si dhe shoqëritë shqiptare. Për të vlerësuar aftësinë e mjaftueshme profesionale, financiare dhe kapacitetin profesional të drejtuesit teknik të shoqërisë, gjykohet mbi dokumentacionin e plotësuar nga aplikuesi, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në këtë rregullore. Veprimtaria fiksohet sipas kategorive të punimeve të zbatimit, duke u mbështetur në profilin e diplomës universitare të individëve që punësohen në rolin e drejtuesit teknik të shoqërisë, gjithashtu duke u mbështetur në klasifikimin e kategorive të përfituara duke u bazuar në tre elementë: vlerën e punëve të ngjashme të kryera në katër vitet e fundit, përvojën në punë të individëve që punësohen në rolin e drejtuesit teknik të shoqërisë dhe kapacitetet financiare.

Elementët

Elementët që përmban një licencë janë: kategoritë e punimeve të ndërtimit, klasifikim në nivele për çdo kategori, numri i identifikimit, data e regjistrimit në regjistrin themeltar, emrat e drejtuesve ligjorë dhe teknikë, selia, afati i vlefshmërisë, elementët e sigurisë të përcaktuar me urdhër të ministrit, si dhe të dhënat e plota të kategorive dhe klasifikimit. Licencat e shoqërive jepen me afat të njëjtë me atë për të cilin janë regjistruar për të ushtruar aktivitetin në QKR apo gjykatë. Ndalohet ushtrimi i veprimtarisë zbatuese në ndërtim në mungesë të drejtuesve teknikë të shoqërisë. Ndërkaq, shoqëritë e licencuara jo më vonë se 10 ditë kalenderike, kur drejtuesi teknik është dorëhequr ose ka pamundësi fizike për ushtrimin e detyrës, kanë detyrim të paraqesin njoftim së bashku me kërkesën për drejtuesin e ri teknik.

Datat kur do të bëhen aplikimet për licenca

Ministria ju rikujton se aplikimet do të kenë këtë rend kronologjik: 1) Subjektet e licensuara para datës 30 janar 2008 për kryerje veprimtarie ndërtimore zbatuese në punime të tilla si: rrugë, autostrada, mbikalime, hekurudha, etj., punime nëntokësore, ura e vepra arti, ujësjellësa, gazsjellësa, vepra kullimi dhe vaditjeje, duhet të dorëzojnë me postë dokumentacionin brenda datës 1 prill 2008. Këto subjekte do të rilicencohen nga MPPTT-ja brenda periudhës 31.06.2008. 2) Për të gjitha kategoritë e tjera të shoqërive ndërtimore zbatuese të licencura para datës 30 janar 2008, afati për dorëzimin e aplikimeve përfundon në datë 25 korrik 2008 ndërsa rilicencimi më datë 25 dhjetor 2008. 3) Procedura për rilicencim ka tarifën simbolike vetëm 1 (një) euro. 4) Vendimi dhe dokumentacioni i kërkuar mund të gjendet në faqen zyrtare të MPPTT-së “www.mpptt.gov.al”, ose në adresën “www.qpz.gov.al”, në Fletoren Zyrtare Nr.9, datë 30 janar 2008. 5) MPPTT-ja në këtë rast dëshiron të rikujtojë të gjitha subjektet ndërtimore që ushtrojnë veprimtari zbatuese se në përfundim të afateve të përcaktuara më sipër mospajisja me licencën e re skualifikon subjektet nga procedurat për prokurime me fonde publike.

Studimi, tremujori i parë 2008, rekorde në çmimin e ndërtimit

Çmimet në sektorin e ndërtimit pritet të kapin nivelin e tyre rekord në 3-mujorin e parë të këtij viti. Studimi vjen nga Qendra për Kërkim dhe Zhvillim (QKZH), ku janë marrë opinionet e 193 firmave të ndërtimit në rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan dhe Shkodër. Sipas QKZH-së firmat e ndërtimit kanë deklaruar se, “gjatë kësaj periudhe do të jetë një nga rritjet më të shpejta të çmimeve në këtë treg”. Çmimet në këtë treg, sipas studimit, do të kenë një shpejtësi më të madhe rritëse se periudhat e mëparshme. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja e çmimeve në këtë sektor për vitin 2007 ka qenë mesatarisht me 25 për qind, por në kryeqytet vlerësohet se ka një rritje më të madhe sipas zonave të ndryshme. Në rritjen e çmimeve në ndërtim pritet që të ndikojë edhe taksa e re 10 për qind në shitjen e pasurive. Sipas studimit, një nga vështirësitë me të cilat po përballet sektori i ndërtimit është rënia e ndjeshme e kërkesës për banesa dhe njësi tregtare. QKZH bën të ditur se në muajin janar 2008, 30 për qind e firmave të ndërtimit shprehen se janë ndikuar negativisht në aktivitetin e tyre ndërtues nga mungesa e kërkesës konsumatore. Ky nivel, sipas studimit, është 6 pikë në përqindje më i lartë se 3 muaj më parë dhe gjithashtu 9 për qind më i lartë se një vit më parë. Megjithatë, rritja e vështirësive që ka hasur biznesi i sektorit të ndërtimit nuk ka çuar në një ulje të tendencës së çmimeve në këtë sektor, e cila është ndikuar përgjithësisht nga mungesa e ndërtimeve të reja.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›