E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen tre adoleshentë, kishin vjedhur 6 muaj më parë sende me vlerë

TEPELENË – Policia e Tepelenës ka ndaluar në orët e para të mëngjesit të ditës së martë tre adoleshentë pasi dyshohen si grabitësit e 20 mijë lekëve në automjetin e një shtetasi, rreth 6 muaj më parë. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Tepelenës thanë dje për gazetën “Albania” se Bledar Rama, Erald Kalo dhe Esen Beqa, përkatësisht 17, 18 dhe 19 vjeç, të tre lindur dhe banues në qytetin e Tepelenës, kanë grabitur në automjetin e shtetasit Felek Çela një DVD, si dhe disa sende me vlerë, që kapin shifrën 20 mijë lekë të reja. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme ligjore.

Arrestohet 26-vjeçari, akuzohet për vjedhje

ELBASAN - Policia e Elbasanit arrestoi të martën në mëngjes një 26-vjeçar, i cili kërkohej prej dy muajsh si autor i vjedhjes së një lokali në këtë rreth. Burime zyrtare të policisë lokale thanë për gazetën “Albania”: “Dritan Mukja, 26 vjeç, lindur e banues në fshatin Gjergjan të Rrethit të Elbasanit, u arrestua pasi ishte identifikuar si autor i grabitjes së një lokali, me pronar shtetasin B.S. në fshatin Kryezjarr”. Ngjarja për të cilën akuzohet Mukja ka ndodhur më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Të njëjtat burime thanë se gjatë kontrollit, në banesën e 26-vjeçarit policia mundi të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale disa materiale të vjedhura në këtë lokal.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›