E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentja ua beson përkohësisht foshnjën e saj infermiereve të “Geraldinës”

Emanuela Sako

Dëshira për të sjellë në jetë një fëmijë nuk e ka ndrydhur dhe ka pranuar të sfidojë vështirësitë e jetës, opinionin dhe gjithçka që ia heq të drejtën e mbajtjes në krahë të krijesës së saj. Edhe pse ndodhet mes foshnjave të braktisura, djali i saj nuk është njësoj si ata. Ajo vetëm ua ka besuar për pak kohë, derisa të mbarojë studimet dhe të rregullojë pak jetën e saj. Më pas do të kthehet sërish te i biri për ta rimarrë. Studentja nga Tirana nuk i ka regjistruar fëmijës së saj atësinë, por e ka njohur si fëmijën e vet edhe pse aktualisht fëmija qëndron në qendrën e fëmijëve të braktisur “Djepi i engjëjve”, pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Gazeta “Albania” po publikon vetëm historinë e vajzës së re duke respektuar rregullat etike për të mos bërë publike të dhëna që do ta cenonin atë. Pak ditë më parë, ajo ka lindur një fëmijë të shëndetshëm. Gëzimi për beben që ka sjellë në jetë është zbehur paksa që në momentin kur nuk ka pasur një emër për babanë e tij dhe duket se për disa kohë do të jetë sekreti i saj duke mos vënë në dijeni edhe familjen që e ka nga rrethet. Askush nuk e di se ajo ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë dhe e gjendur në këto kushte edhe infermieret e kanë të vështirë ta përcaktojnë nëse më shumë ka qenë gëzim i ardhur në kohën e duhur. Pas daljes nga materniteti, fëmija u vendos në këtë qendër pasi nëna nuk mundte ta merrte me vete. Ajo ka vendosur t’ua besojë foshnjën e saj përkohësisht deri në mbarimin e studimeve.
Takimi me fëmijën
Infermieret e qendrës “Djepi i engjëjve” tregojnë se studentja çdo ditë gjen pak kohë të lirë për të takuar fëmijën dhe për të qëndruar disa orë me të. Infermieret shprehen se vajza nuk do që ta braktisë fëmijën, por, për arsye opinioni dhe për pamundësi të kushteve ekonomike, kërkon që fëmija të qëndrojë për pak kohë në këtë qendër. Madje, gjatë momentit që ne ishim në qendër, infermieret na treguan se studentja ndodhej në një nga dhomat e qendrës ku dëgjoheshin dhe përkëdheljet që po i jepte djalit të saj të porsalindur. Vajza ka premtuar se fëmijën e saj do ta rrisë vetë, duke krijuar mundësitë ekonomike. Edhe pse fëmija është lindur pa një akt martesor dhe për opinionin një mënyrë e tillë ngjall përbuzje, ajo kërkon të thyejë çdo tabu, atë të prindërve, të shoqërisë dhe të gjithkujt që e paragjykon duke thënë se do të tregojë pak më vonë për sekretin e saj.
Kushtet ekonomike
Stafi i qendrës tregon se nëna vjen çdo ditë të shohë fëmijën, duke premtuar se shumë shpejt ata të dy do të kenë një shtëpi të tyren dhe do të jenë gjithmonë bashkë. Ajo kërkon të gjejë punë dhe një strehë për vete dhe fëmijën e saj. Punonjësit tregojnë se vajza nuk flet asnjëherë për babain e fëmijës. Pas qëndrimit në qendër, fëmija do të çohet në befotrof dhe më pas në jetimore, por ai nuk do të birësohet kurrë nëse nëna e tij natyrale do ta takojë. Kjo falë kujdesit dhe mosbraktisjes nga nëna, e cila kufizohet vetëm nga pamundësitë ekonomike për ta mbajtur, por që premton se do ta ketë shumë shpejt pranë. Rregullorja parashikon që nëse nëna lëshon deklaratë se do ta takojë gjithmonë fëmijën e saj, atëherë fëmija do të qëndrojë në jetimore por nuk mund të birësohet. Nëna e tij ka vetëm një qëllim në jetë: krijimin e mundësisë për të qenë gjithmonë pranë fëmijës dhe që fëmija i saj të mos quhet i braktisur.

Historitë e fëmijëve të braktisur

Në qendrën “Djepi i engjëjve”, pranë maternitetit ”Mbretëresha Geraldinë”, ndodhen disa foshnja që janë frut i historive të dhimbshme që për shumë arsye i kanë detyruar nënat t’i braktisin. Kryeinfermierja e qendrës, Nexhmie Bega, shprehet për gazetën “Albania” se prindërit e këtyre fëmijëve kanë histori të ndryshme që i kanë braktisur. Për të e rëndësishme është që këta fëmijë janë të shëndetshëm dhe kanë një trajtim të veçantë, por gjithsesi nënë askush nuk mund t’u bëhet. Historitë e tyre vijnë nga të gjitha anët e Shqipërisë. Fëmija më i madh i qendrës është Fatlumi nga Tropoja, që ka 6 muaj që nuk i ndahet nga krahët stafit të qendrës. Fëmija është i shëndetshëm dhe ka mësuar të buzëqeshë. Fatlumi ka rreth 6 muaj që është transferuar nga Materniteti i Tropojës për në këtë qendër, pasi atje nuk kishte kushte për t’u trajtuar. Nëna e ka braktisur, por ai ka fituar simpatinë e infermiereve, ndërsa ka gjallërinë dhe shkathtësinë e një fëmije 6 muajsh. Kryeinfermierja Bega tregoi se kur fëmija erdhi nga Materniteti i Tropojës ishte i dobët, ndërsa tani është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo shpjegoi se fëmijët nuk mund të qëndrojnë më shumë se dy muaj në qendër, por rasti i tij është ndryshe. Ai nuk është regjistruar ende, pasi nuk ka ardhur certifikata nga rrethi i lindjes sepse edhe aty ai është regjistruar me vonesë. Emri i tij është vendosur nga stafi i bluzave të bardha të Tropojës, pasi nëna nuk kishte vendosur asnjë emër për të. Një fëmijë tjetër që trajtohet në këtë qendër është fëmija 2 muajsh i ardhur nga qyteti i Lushnjes. Historia e tij është tepër e hidhur. Nëna e tij ka vdekur vetëm pak ditë pas lindjes, ndërsa fëmija ishte nën peshë. Babai, në pamundësi për t’u përkujdesur, e transferoi në këtë qendër për trajtim më të veçantë. Punonjëset e qendrës shprehen se i ati vjen e takon shpesh fëmijën dhe është shprehur se do ta rikthejë në shtëpi bebin e tij.

Qendra “Djepi i engjëjve”

Kjo qendër pret të gjithë fëmijët e sapolindur që braktisen nga prindërit dhe mbeten të vetëm në sallat e lindjes. Shtëpia e parë që ata njohin janë dhomat e qendrës pritëse dhe “nënat” e tyre bëhen mjeket dhe infermieret që kujdesen për ta. Qendra është krijuar që në vitin 1996 nga një shoqatë amerikane. Që nga ajo kohë dyert e saj janë të hapura çdo ditë për të pritur këta fëmijë. Një vit më parë, në këtë qendër janë regjistruar 21 fëmijë të braktisur. Ndërsa vetëm për këtë fillimviti janë regjistruar tre fëmijë të braktisur. Kryeinfermierja Bega sqaron se vitet e fundit është ulur numri i fëmijëve të braktisur. Kjo shpjegohet me ndryshimin e mentalitetit të qytetarëve, marrjen e kontraceptivëve etj. Një pjesë e nënave e mbajnë fëmijën edhe pa atësinë apo pa qenë të celebruara.

Rregullat për pritjen e fëmijëve në qendër

Rregullat për mbajtjen e një fëmije në qendër janë të përcaktuara, por në disa raste ato edhe thyhen. Një fëmijë mund të qëndrojë në qendër një ose dy muaj nga momenti i lindjes. Më pas, punonjësit e Ministrisë së Punës i çojnë në befotrof dhe më pas fëmijët shpërndahen në jetimore të ndryshme të vendit. Gjatë qëndrimit në jetimore, disa prej tyre birësohen nga prindër të tjerë, ndërsa disa të tjerë ndajnë gjatë 18 viteve dhomat e jetimores. Por në rast se nëna kërkon ta takojë vazhdimisht fëmijën dhe për arsye ekonomike e lë në jetimore, fëmija nuk mund të jepet për birësim. Në raste të veçanta, një fëmijë mund të qëndrojë më shumë se dy muaj në qendrën “Djepi i engjëjve”, por kjo ndodh vetëm kur ka arsye të justifikueshme. Me pak fjalë, vetëm kur ka pengesa procedurale.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›