E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe politika e çoroditur shqiptare

Nga Zamira CAVO

Euforia legjitime e pavarësisë së Kosovës duket se do kohë të fashitet, ashtu sikundër deshi kohë dhe për të shpërthyer. Por tani, në lagësinë e ditëve, me mëndje më të ftohtë, nuk mund të mos shikosh se si lëvizi mendimi politik shqiptar gjatë këtyre ditëve. E para gjë që më la shijen e hidhur të politikës së çoroditur shqiptare ishte padyshim shfaqja e Berishës në një moment historik, kur në sallën e Kuvendit në vend të ndiqej seanca e Parlamentit të Kosovës, deputetëve ju desh të rishihnin fytyrën e Berishës. Të gjesh mundësinë për të fituar jo kapital politik, por thjeshtë personal në këtë ditë historike, nuk tregon mençuri. E dyta që mund të vëresh është “dëshira” e mjaft politikanëve, të cilët dëshirojnë të demonstrojnë gjithçka kanë bërë “pesonalisht” për Kosovën duke u munduar të mohojnë gjithçka është bërë nga shumë politikanë, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë për Kosovën. Duke qenë krejtësisht jashtë paragjykimeve, vlerësoj daljen e zj. Hoxha në media pikërisht për të dhënë një urim të sajin. Dhe jo thjeshtë të sajin, por për të treguar se politika në periudhën e diktaturës së proletariatit mund të ketë gabuar në mjaft gjëra, por në çështjen e Kosovës ka qenë e palëkundur, e kujdesshme dhe gjithnjë mbështetëse. Kjo është një vlerë për politikën kombëtare dhe nuk besoj se të mohosh këtë, e për më tepër ta shtrembërosh, i bën nder politikës. Jo. Është pikërisht e kundërta. Por dhe ky fakt bën pjesë në çoroditjen e politikës shqiptare që nuk arrin të vlerësojë dot as F. Nanon e R. Mejdanin etj që sigurisht kane kontribuar në mënyrë konsistuese dhe mjaft efikase në realizimin e kësaj fitoreje. Natyrisht nuk është puna për të marrë “meriatat” në këtë ngjarje sepse meritën kryesore e ka populli i Kosovës që diti të luftojë, të presë dhe te respektojë historinë, vetveten dhe miqtë! Por politika, të paktën për këtë ngjarje historike kombëtare, duhet të tregojë vlerat e vërteta jashtë ideologjive, përkatësie partiake e dëshirave personale.
Personalisht më la shije jo të mirë fakti që Tirana zyrtare duhet të “priste” të tjerët që ta njihnin pastaj të reagonte se e kishte njohur që më 1991 pavarësinë e Kosovës. Thua se dhe Afganistani që e njohu I pari “prishi” radhën e njohjeve diplomatike?!! Asnjë arsye politike e diplomatike nuk gjen justifikim kur dihet se Shqipëria është e para që mbështet Kosovën e ka mbështetur dhe kur të tjerët e luftonin dhe sigurisht që duhet ta mbështesë në çdo moment gjithnjë, pavarësisht “të tjerëve” sepse jemi një komb. Një politikë servile deri në ekstrem, nuk i bën mirë as vetë Kosovës. Sigurisht nuk i bën mirë as Shqipërisë. Dhe një falënderim për Shqipërinë nga Prishtina zyrtare mbase do të duhej të kishte ardhur. Nëse nuk respektohemi mes nesh mos presim se do na respektojnë të tjerët.
Së treti. Çoroditja e politikës sonë ndjehet dhe kur politikanët flasin mbi Serbinë. Në mjaft deklarata të këtyre ditëve, nuk mund të mos dallosh se herë pas here, fitorja historike e Kosovës shpallet si fitore kundër Serbisë. Kanalet televizive, me analistët jo rrallë pa kulturë politike, nxitojnë të “tregojnë” se në Beograd po ndodh kjo e ajo…. I vetmi që në këto momente historike tregoi vlerat e tij si politikan i ditës, ishte Edi Rama, i cili në përshëndetjen e tij për pavarësinë e Kosovës, midis të tjerave, e vlerësoi Serbinë si një partner të domosdoshëm dhe të nevojshëm. Natyrisht që erërat politike duhet të fryjnë në këtë drejtim. Ballkani tashmë ka nevojë për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Së fundmi çoroditja e politikës sonë duket në veçanti në atë se çfarë ajo po projekton për të nesërmen e saj, ne raport me Kosovën. Duket se gjithçka do të lëviz në mënyrë spontane. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për ambasadën tonë në Prishtinë, por shumë më shumë. Rrugët, portet e aeroportet tona nuk mund ta ndihmojnë Kosovën me deklarata, por me strategji konkrete. Dhe strategjitë nuk mund të jenë spontane.
Nuk është problemi për të treguar nacionalizmin tonë, por dhe nëse na duhet ta bëjmë nuk duhet të na vijë turp nga kjo. Sot bota është globale aq sa respekton nacionalizmin. Kombi shqiptar dhe pse me dy shtete, është një komb. Kryesorja është që politika të mos jetë e çorientuar për shkak të kësaj ndarjeje institucionale.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›