E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, i penduari zgjidh thesin e rrëfimeve



Laureta Rryçi
Gjyqi ndaj Bandës së Durrësit gjatë seancës së djeshme tentoi të merrte formën e procesi normal. Për rreth një orë seanca po zhvillohej normalisht dhe nisi dhe dëshmia e shumëpritur e të penduarit të kësaj dosjeje. Dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të marrë në mbrojtje, të të penduarit Adriatik Coli ndaj anëtarëve të njohur si Banda e Durrësit me drejtues Lulzim Berishën. Por, edhe kjo seancë pas disa minutave dëshmi, nuk mundi të vijonte më tej për shkak të pengesave që u krijuan nga avokatët e të pandehurve. Burime të besueshme treguan se Coli në ato pak minuta dëshmi mësohet të ketë treguar vetëm njohjen me Lulzim Berishën dhe vrasjen e një anëtari të bandës që ai ishte pjesë.
Dëshmia
Seanca e djeshme për shkak të një vendimi të mëpërparshëm të gjykatës u zhvillua me dyer të mbyllura. Burime që ishin prezent gjatë seancës shpjeguan dje për gazetën “Albania” se Coli ka folur për njohjet e tij me Lulzim Berishën. Konkretisht ai ka deklaruar: “E kam njohur Lul Berishën në vitin 1994 në Itali. Por njohja u forcua tre vite më vonë, në ‘97, atëherë kur Lul Berisha vinte në një palestër pranë shtëpisë time në Durrës. Në atë kohë kujtoj që Luli u plagos”. Të njëjtat burime shpjeguan se prokurorit të çështjes i është dashur disa herë të ndërhyjë për të kërkuar saktësime në dëshmi. Mirëpo pikërisht këto ndërhyrje duket se kanë nervozuar avokatët, duke sjellë më pas edhe largimin nga salla të avokatit Riza Icka. Me gjithë këtë Coli ka vijuar të dëshmojë edhe për një ngjarje kriminale ku kishte marrë pjesë edhe vetë, pasi kishin plagosur një kundërshtar të bandës, i cili një ditë më pas kishte gjetur vdekjen. Në këtë moment sipas burimeve i pandehuri Kristian Begu ka kërkuar të largohet nga salla, ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i avokatit të tij Pjetër Deda. Avokati i tha gjykatës se një kafe e konsumuar në mëngjes i kishte dëmtuar shëndetin dhe ai duhej të largohej nga gjykata. E ndodhur në këto kushte, kolegji penal i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari vendosi të bëjë një pushim në mes të seancës për vijuar disa minuta më pas me shpresë se shëndeti i avokatit do përmirësohej. Kur palët u mblodhën në sallë për të dëgjuar më tej të penduarin, avokati Deda mungonte. Për këtë arsye gjykata e shtyu seancën për të enjten e kësaj jave. Mësohet gjithashtu se gjatë gjithë seancës ka pasur debate mes prokurorit dhe avokatëve për shkak se përfaqësuesi i akuzës i ka etiketuar të pandehurit se kanë bashkëpunuar në formën e organizatës.
Procesi
Gjyqi ndaj të 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007 dhe deri në seancën e djeshme nuk ka mundur të dëshmojë asnjë prej 105 dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Coli, një ish/anëtar i bandës, sot i penduar, nuk ka arritur ende të dëshmojë plotësisht të vërtetat rreth Bandës. Shtyrja e seancave gjyqësore ka arritur rekord në llojin e vet, seancat janë shtyre plot 95 herë. Të pandehurit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, ndër të cilat vrasje dhe trafiqe ilegale.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›