E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, kostituohet Kolegji Zgjedhor i Apelit



Kostituohet Kolegji Zgjedhor i Apelit me tetë anëtarë, i zgjedhur disa muaj më parë, i cili do të shqyrtojë ankesat para dhe paszgjedhore të palëve që do garojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në zbatim të dispozitave përkatëse të Kodit të ri Zgjedhor, dje, më 7 maj 2009, thirri në detyrë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Procedura kërkon që 45 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, zv.kryetari i KLD-së duhet të mbledhë Kolegjin Zgjedhor, duke e lënë në punë deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor. Z. Spahiu theksoi se ky institucion i rëndësishëm i procesit zgjedhor, me anë të punës së tij të paanshme dhe të drejtë, duhet të përcjellë mesazhe garancie për një proces të rregullt ligjor, në zbatim të standardeve aspiruese. Ky Kolegj Zgjedhor, i cili përbëhet nga tetë gjyqtarë të gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, përbën një hallkë të rëndësishme të procesit zgjedhor. Institucioni i Kolegjit Zgjedhor, nëpërmjet profesionalizmit dhe integritetit të anëtarëve përbërës, duhet të garantojë respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe të ligjeve, në përmbushje të detyrave që ligji përkatës iu njeh. Detyra funksionale e Kolegjit Zgjedhor është shqyrtimi i ankimeve të subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Njëkohësisht, ky kolegj, shqyrton edhe ankimet e paraqitura nga individët apo partitë politike, të cilave u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor. Takimi u fokusua gjithashtu dhe në evidentimin e marrjen e masave parandaluese, në çështje që kanë impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin sa më korrekt të gjykimeve të mosmarrëveshjeve zgjedhore. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor shprehën dhe njëherë angazhimin e tyre maksimal, për paanshmëri dhe përkushtim në përmbushje të detyrave.

Shorti

Një numër i madh gjyqtarësh i është nënshtruar procedurës së shortit me gogla të hedhur më 19 janar të këtij viti, me qëllim përzgjedhjen e 8 gjyqtarëve që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor në Gjykatën e Apelit. Shorti u hodh në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku të pranishëm kanë qenë përfaqësues të dy partive politike më të mëdha të opozitës dhe dy partive politike më të mëdha të pozitës. Drejtuesit politikë të këtyre katër partive kanë dërguar si përfaqësues Njazi Kosovrastin dhe Arian Madhin nga PD e PR, ndërsa Spartak Brahon e Damian Gjiknurin nga LSI e PS. Nënkryetari i KLD-së ka shpjeguar procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve konkurrues, si dhe procedurën e shortit dhe pas hedhjes së tij. Z. Spahiu u ka kujtuar përfaqësuesve të partive politike, se kanë të drejtë kontestimi për emrat që do të dalin nga shorti, në rast se nuk janë dakord. Para fillimit të procedurës së shortit, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjinkuri, kërkoi të sqarohej nga nënkryetari Spahiu se sa gjyqtarë janë përjashtuar nga votimi dhe cilët ishin emrat dhe arsyet. Sipas Spahiut, për shkak të procedimeve disiplinore ndaj tyre, janë përjashtuar nga konkurrimi 2 gjyqtarë, emrat e të cilëve nuk mund të bëheshin publikë për shkak të etikës. Më pas, një nga një, disa prej anëtarëve të Këshillit tërhoqën tetë gogla, të cilët mbanin tetë emra gjyqtarësh brenda, tre prej të cilëve u kontestuan nga përfaqësuesit e partive politike. Gjyqtarët e kontestuar nga partitë politike ishin Zeqine Sollaku, Bashkim Dedja e Stavri Kallço.

Kolegji Zgjedhor

Dhurata Haveri

Astrit Kalaja

Marie Qirjazi

Meriban Mullaj

Sashenka Jonuzi

Entela Prifti

Tom Ndreca

Petraq Koço

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›