E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëson infarkt nga sherri për pronën, i biri plagos kundërshtarin

Konflikti për pronësinë ka shkaktuar një të vdekur dhe një të plagosur në Tiranë. Viktima është 55-vjeçari Pëllumb Murataj, ndërsa është plagosur me thikë Kadri Uka. Ky i fundit u plagos nga djali i viktimës, kur pa se i ati u rrëzua në tokë, pasi pësoi infarkt nga debati që po bëhej midis të dyve. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e djeshme në kryeqytet. Me gjithë ndihmën e dhënë 55-vjeçarit, ai nuk ka mundur që të jetojë, si pasojë e goditjes nga infarkti. Ndërkohë që 46-vjeçari Uka u dërgua në spital për t’u mjekuar për plagët e marra nga goditja me thikë. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila shoqëroi në komisariat edhe autorin e plagosjes. Rreth orës 19:40 në zonën e Bërrylit, ka filluar një konflikt midis 55-vjeçarit Pëllumb Murataj dhe 46-vjeçarit Kadri Uka. Ata kanë filluar që të debatojnë ashpër me njëri-tjetrin për një konflikt pronësie ende të pazgjidhur midis tyre. Edhe më parë midis dy familjeve kishte pasur përplasje në lidhje me këtë problem. Ndërsa sherri midis tyre po bëhej më i ashpër, Pëllumb Murataj ka pësuar një infarkt në zemër dhe është rrëzuar në tokë. Kur ka parë të atin të shtrirë, djali i tij, Ledio Murataj, është drejtuar drejt Ukës dhe e ka qëlluar atë me thikë. 46-vjeçari ka marrë plagë në trup dhe është mbuluar nga gjaku. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e lajmëruar në lidhje me këtë konflikt. Ata u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve, duke i dërguar në spitalin numër 1. Megjithatë, Pëllumb Murataj nuk ka arritur që të mbijetojë dhe ka gjetur vdekjen. Ndërkohë që me gjithë plagët e marra, Kadri Uka, pas ndërhyrjes së mjekëve, është jashtë rrezikut për jetë. Ai kishte marrë disa goditje me thikë në trup. Ndërkohë, policia kreu këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ajo sekuestroi armën e ftohtë me të cilën u krye plagosja, si dhe shoqëroi për në komisariat djalin e viktimës që kreu plagosjen, Ledio Murataj. Sipas burimeve nga policia, midis dy familjeve Murataj dhe Uka ka pasur konflikt pas mosmarrëveshjeve për pronat. I riu kur ka parë të atin të rrëzuar në tokë pa ndjenja, nuk ka duruar dhe ka qëlluar ndaj 46-vjeçarit me thikën që mbante me vete. Ai është shoqëruar në qelitë e komisariatit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›