“Banda e Durrësit”, mjeku pediatër “shpëton” avokatin Mullaj
Sa komike aq edhe dramatike në të njëjtën kohë, situata e krijuar në procesin gjyqësor të “Bandës së Durrësit”. Pranimi i raportit mjekësor të lëshuar nga një mjek pediatër për avokatin Dashnor Mullaj nga ana e trupës gjyqësore të kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari krijoi ilaritet në sallë për të pranishmit, por jo për përfaqësuesit e akuzës. Menjëherë prokurorët kanë kërkuar të reagojnë ndaj këtij vendimi, por iu është prerë fjala nga trupi gjykues, i cili ka vendosur shtyrjen e seancës së 75-të të këtij procesi. Seancat ndjekin njëra-tjetrën duke mbetur në të njëjtën pikë, atë të startit. Por, tepër shqetësuese paraqitet gjendja nga organi i akuzës, të cilit procesi gjyqësor i është ndërprerë në një fazë mjaft të rëndësishme, atë të dëshmisë së të penduarit që rrëfeu krimet e bandës, Adriatik Coli. Ata shprehen se mungesa e pajustifikuar realisht e avokatëve, por e justifikuar para gjykatës me raporte mjekësore, ndonjëherë edhe qesharake, po e bën mjaft komplekse gjendjen. Ndërkohë që gjyqi ka afërsisht 2 vjet që shtyhet dhe trupa gjyqësore “shqetësohet” për mungesat e shpeshta të avokatëve, dje janë bërë vetë pranues të këtij realiteti, duke pranuar si të justifikuar mungesën e avokatit Mullaj edhe me një raport mjekësor të lëshuar nga një mjek pediatër (mjek fëmijësh). Ndërkohë që dëshmia e Colit vazhdon të shtyhet pambarimisht për këto shkaqe dhe shteti vazhdon të paguajë për transportin e të penduarit çdo javë apo ndonjëherë edhe dy herë në javë drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda. Shpenzime që konsistojnë jo vetëm në vlerë monetare, por edhe në njerëz. Seanca e radhës u caktua nga gjykata për të enjten e ardhshme, por edhe kjo e destinuar për t’u shtyrë, pasi do ketë ndonjë tjetër avokat që do sëmuret dhe paraqesë para gjykatës raport mjekësor për t’u justifikuar. Qëllimi që të pandehurit dhe avokatët i kanë vendosur vetes është deri diku duke u realizuar, sipas deklarimeve të tyre jashtë procesit dhe nën zë korridoreve, pasi procesi shtyhet prej gati dy vjetësh dhe po arrin muajin e zgjedhjeve, sipas parashikimeve të tyre, në fillim të gjyqit. Gjatë këtyre shtyrjeve dyvjeçare, edhe midis dy krerëve, Lulëzim Berisha dhe Indrit Dokle, është vendosur kompromisi, pasi deri para arrestimit në tentativa për të vrarë njëri-tjetrin, tashmë miq për të arritur objektivin e përbashkët kundër të penduarit Coli.
Somario
Tepër shqetësuese paraqitet gjendja nga organi i akuzës, të cilit procesi gjyqësor i është ndërprerë në një fazë mjaft të rëndësishme, atë të dëshmisë së të penduarit që rrëfeu krimet e bandës, Adriatik Coli