E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e hetimit për vrasjen e deputetit mblidhen te Krimet e Rënda



Krerët e grupit hetimor që po punojnë për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, janë mbledhur dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në një analizë që zgjati mbi tre orë, me qëllim analizimin e informacioneve të grumbulluara deri në këto momente dhe ndarjen e detyrave për ditët në vazhdim. Në takimin që filloi rreth orës 10:00 dhe përfundoi në orën 13:30, kanë qenë të pranishëm zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, drejtori kundër Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, Nikolin Bala dhe drejtori i policisë së Fierit, Shemsi Premçi, të cilët janë takuar me katër prokurorët e Krimeve të Rënda që po merren me këtë çështje, Kosta Beluri, Ardian Nezha, Adnan Xholi dhe Besnik Muça, por që nuk ka munguar edhe Kryeprokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela. Ndonëse bëhet fjalë për ditën e gjashtë të hetimeve, për të cilat deklarohet zyrtarisht se po punohet intensivisht, ende nuk ka pista konkrete apo identitet autori të mundshëm. Por, ndërsa gjatë gjithë paradites flitej për një emër konkret autori të dyshuar, madje duke deklaruar edhe inicialet e tij dhe se ishte banor i Kurjanit me precedentë të mëparshëm penalë, nga ana e krerëve të hetimet mohohet kategorikisht të ketë një autor të dyshuar të identifikuar. I pyetur pas takimit nëse kishte një autor të dyshuar për këtë ngjarje dhe nëse po, a ishte 27-vjeçari nga zona e Roskovecit K.Ç., kreu i policisë së Fierit deklaroi se “ende nuk ka emra konkretë për këtë ngjarje të rëndë”. Madje, identifikimi i autorit është mohuar edhe nga prokurorë të çështjes, të cilët prej disa ditësh kanë qenë të vendosur në Fier në kontakt me pjesën tjetër të grupit të hetimit. Ndërkohë që, sipas burimeve, dita-ditës shoqërohen për në komisariat për t’u marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm personash, kryesisht banorë të vendlindjes së deputetit Fatmir Xhindi, por edhe nga Roskoveci apo fshatrat përreth. Ndërkohë mësohet se nga laboratori i kriminalistikës është kthyer përgjigje negative për pakon e aspirinës, duke deklaruar se nuk ka asnjë gjurmë të autorit të krimit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, e vetmja gjë që kanë të saktë është skena e krimit, si ka ndodhur, si dhe dyshimi se autori është nga zona e Roskovecit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›