E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD miraton sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve



Këshilli i Lartë i Drejtësisë zhvilloi dje për disa orë me radhë mbledhjen e radhës duke marrë një sërë vendimesh. Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, duke qenë se presidenti Bamir Topi ndodhet për një vizitë pune jashtë shtetit. Sipas njoftimit zyrtar, pasi u diskutua në lidhje me projektvendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë “Për vlerësimin e aftësive profesionale dhe etike të gjyqtarëve”, duke marrë në konsideratë dhe sugjerimet e anëtarëve të Këshillit, në përfundim u vendos të miratohet vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për “Sistemi i vlerësimit të gjyqtarëve”. Pasi u diskutua në lidhje me projektligjin “Për bazat e të dhënave shtetërore”, në përfundim u vendos të ngrihet një grup pune i përbërë nga anëtarët e Këshillit: Lefteri Lleshi, Neshat Fana dhe Shkëlqim Miri, të cilët do të përgatisin materialin përkatës, për ta diskutuar më pas në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërkohë që është organizuar shorti “Mbi delegimin e gjyqtarëve për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore”. Në përfundim vendosi të bëjë delegimet përkatëse si dhe të delegojë ish-gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Bezart Kaçkini, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Mimoza Margjeka, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, për të gjykuar për llogari të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, duke vazhduar pjesëmarrjen në gjykimet e filluara më parë prej tyre, bazuar kjo në kërkesat për delegime të ardhura nga kjo gjykatë. Së fundi bënë betimin edhe disa gjyqtarë, të cilët u emëruan në gjykata të tjera si pasojë e riorganizimit të disa gjykatave të vendit.

Gjyqtarët që u betuan
- Elda Vrioni, emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me dekret të Presidentit të Republikës Nr. 6490, datë 05.04.2010.
- Alma Brati, emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës Nr. 6491, datë 05.04.2010.
-Astrit Faqolli, emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës Nr. 6492, datë 05.04.2010.
-Lazër Sallaku, emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës Nr. 6493, datë 05.04.2010.
-Petraq Curri, emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, me dekret të Presidentit të Republikës Nr. 6494, datë 05.04.2010.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›