E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Aldo Bares: “Gramoz Selmani ka kryer gjashtë vrasje”



Laureta Rryçi

Në seancën e djeshme, mbrojtësi i të pandehurit Aldo Bare, avokati Vladimir Meçi, u shpreh se gjykata po përdor dy standarde në dhënien e drejtësisë. Sipas tij, dëshmitari Gramoz Selmani, që dëshmoi në seancën e kaluar, ishte person i shpallur në kërkim për 6 vrasje, por prokuroria nuk ndërhyri për arrestimin e tij. “Gramoz Selmani duhet të ishte arrestuar dhe i duhej kërkuar llogari për akuzat që vetë prokuroria kishte ngritur ndaj tij. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Edhe pse pretendimi ynë si mbrojtës që në momentin e parë të paraqitjes së tij ishte qartësimi i statusit të tij, përsëri kjo gjë nuk u bë as nga organi akuzues, as nga ana e gjykatës”, - tha Meçi. Pas këtyre pretendimeve, gjykata vendosi zhvillimin e seancës me dyer të mbyllura. Ndonëse sipas të pandehurit Aldo Bare, dëshmitarja nuk ka se çfarë të rrezikojë, pasi bashkëshorti i saj është vrarë. Me ironi Bare u shpreh para gjykatës se dëshmitarja tani mund të tregonte vetëm për komshinjtë e saj me të cilët e ka parë qyteti. Ndërsa pas reagimit të Bares, seanca vijoi me dyer të mbyllura për shkak të statusit të dëshmitares. Në ambientet e jashtme të Gjykatës së Krimeve të Rënda, dje, në shenjë proteste kishte ardhur dhe Arben Kiçja. Sipas tij, që nga momenti që rrëfeu në proces krimet e bandës, shteti e ka braktisur nga mbrojtja e dëshmitarit. Kiçja ishte i alarmuar për situatën e krijuar duke u shprehur se në këtë mënyrë mund t’i rrezikohej edhe jeta.
Reagimi
Të dëshpëruar dhe shumë të nervozuar, dëshmitarët e mbrojtur nga shteti në procesin ndaj Aldo Bares kanë protestuar në një mënyrë të pazakontë. Të gjithë së bashku ata kanë qëndruar përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda në kohën kur në seancën e procesit ndaj Aldo Bares po dëshmonte një tjetër dëshmitare e mbrojtur. Ndërsa duhet të ishin nën masa të forta sigurie për shkak të dëshmive të rëndësishme që kanë dhënë përpara gjykatës për fajësinë e Aldo Bares, ata kanë mbetur në rrugë. Dy vëllezërit, nëna e tyre, bashkëshortja dhe disa fëmijë të mitur kanë lënë banesat e fshehta ku qëndronin, pasi pretendojnë se pas dëshmisë së dhënë nga Arben Kiçja në gjykatë me video-konferencë, nuk kanë pasur më vëmendjen e strukturës së posaçme për mbrojtjen e tyre.
Dëshmitarja
Një tjetër dëshmitare e mbrojtur nga Drejtësia dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë në procesin ndaj Aldo Bares. Mimoza Dervishi, nëpërmjet video-konferencës, rrëfeu vrasjen e bashkëshortit duke implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm Baren, por edhe disa nga anëtarët e tjerë të banës së Lushnjës. Sipas akuzës, Demiri është e vetmja dëshmitare okulare në vrasjen e bashkëshortit të saj. Sipas dëshmitares, në datën 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës, viktima, së bashku me familjarë të tij, janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe të pandehurit Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë i pandehuri Arben Boriçi, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në autoveturë kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.

Dëshmia e Arben Kiçes disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda

“Ka qenë ora 18:00 e pasdites së 16 nëntorit të vitit 2003 kur Rexhep Gina ka qëlluar në drejtimin tim për të më vrarë, por që për fat të mirë kam mbetur vetëm i plagosur. Kjo ngjarje ka ndodhur në verandën e lokalit tim që kisha në Lushnjë dhe kur punoja për të jetuar”, - ka thënë Kicja para togave të zeza. Ai ka shpjeguar se shkak i kësaj tentative vrasjeje ka qenë ndërmjetësimi i tij mes Rexhep Ginës dhe shtetasit Shkëlqim Haxhiu, për të cilin tha se e kishte pasur mik të ngushtë, në lidhje me privatizimin e një hoteli në Lushnjë. “Atë lokal, Aldo Bare dhe shokët e tij donin ta merrnin vetë. Kjo ngjarje ka lidhje edhe me djegien e shtëpisë së Shkëlqim Haxhiut në gusht të vitit 1998. Në atë kohë më ka thënë Shkëlqimi se zjarrin e kishin vendosur Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Jorgo Muzaka, Rexhep Gina, të gjithë nën urdhrat e Aldo Bares e Enver Dondollakut”, - dëshmoi para gjykatës bashkëpunëtori i drejtësisë. Edhe para të cilësuarit si kreu i “Bandës së Lushnjes”, Kicja nuk ka ngurruar të rrëfejë atë çka di rreth presioneve ndaj familjes Haxhiu dhe djegies së shtëpisë, duke akuzuar Baren e Dondollakun si urdhërues dhe të pandehurit e tjerë si zbatues të urdhrave. “Në atë kohë, më ka thënë se këta persona kanë shkuar në shtëpinë e Shkëlqimit, ku nuk kanë gjetur njeri dhe më pas i kanë vendosur flakën. Që aty kanë marrë me vete disa nga personat që ndodheshin brenda në shtëpi, duke i nxjerrë jashtë e kërcënuar me vrasje. Të gjithë këta tashmë nuk dihen ku janë, pasi kanë ikur jashtë shtetit”, - ka dëshmuar Kicja. Gjatë dëshmisë së tij, bashkëpunëtori ka treguar edhe vrasjen e shtetasit Hysni Demiraj, ku sipas tij, vrasjen e kanë kryer Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. “Unë vetë nuk i kam parë, por që më kanë thënë që vrasjen e Hysni Demirajt e kanë kryer Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare, pasi kosovari kishte njohje dhe pak miqësi me Artur Dajën”, - mësohet të ketë thënë Kicja para gjykatës.

Hidhet shorti për kërkesën e Ilir Kumbaros

Kërkesa e Ilir Kumbaros për përjashtimin e trupit gjykues do të gjykohet nga gjyqtari i Krimeve të Rënda, Fran Prendi. Kërkesa, që u depozitua dje nga avokati i ish-shikasit që akuzohet për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, iu nënshtrua shortit elektronik. Pritet që gjyqtari Prendi të vendosë nëse i njëjti kolegj penal do të vazhdojë të gjykojë dosjen në fjalë. Shkak për këtë kërkesë u bë vendimi i kolegjit për rrëzimin e kërkesës mbi ndryshimin e masës së sigurisë për Ilir Kumbaron. Sipas avokatit Vojo Bregu, Gjykata po aplikon dy standarde ndaj tre të pandehurve të këtij procesi. Dy janë lënë gjykim në gjendje të lirë, ndërsa ndaj klientit të tij është vendosur masa më e ashpër e sigurisë.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›