KLD, pas 5 ditësh hidhet shorti për 8 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor në Gjykatën e Apelit
Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë informon se pas 5 ditësh do të hedhë shortin për të përzgjedhur 8 gjyqtarët e Apelit, që do të jenë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit në Tiranë. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë këtij këshilli, të cilat bëjnë të ditur se me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 1019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në bazë të nenit 146 të tij, lind detyrimi të organizojë procedurën e hedhjes së shortit për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve që do të jenë anëtarë të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë. Sipas burimeve, Kolegji Zgjedhor ka si detyrë funksionale të tij shqyrtimin e ankimeve të subjekteve zgjedhore ndaj vendimeve të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Njëkohësisht, ky kolegj shqyrton edhe ankimet e paraqitura nga individët apo partitë politike, të cilave u është refuzuar kërkesa për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor. Sipas dispozitës së lartpërmendur, brenda 5 ditëve, nga dekretimi i datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, hidhet shorti i përzgjedhjes së gjyqtarëve, anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Hedhja e shortit organizohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke e bërë përzgjedhjen nëpërmjet të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Apelit të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të vërtetimit të rasteve të përcaktuara në nenin 148 të kodit. Dispozita në fjalë parashikon se përjashtohen nga përzgjedhja me short, gjyqtarët për të cilët; a) është vendosur fillimi i çështjes penale; b) është në fuqi një masë disiplinore; c) është filluar procedimi disiplinor.
Procedurat para dhe pas shortit
Brenda 48 orëve nga dalja e dekretit të Presidentit të Republikës për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, Këshilli informon, për listën e gjyqtarëve që do të përfshihen në short, dy partitë parlamentare të shumicës dhe dy partitë parlamentare të opozitës që kanë numrin më të madh të mandateve në Kuvend, si edhe shpall publikisht e boton në të paktën tri gazeta me tirazhin më të madh, datën, orën dhe vendin ku do të hidhet shorti. Në procesin e përzgjedhjes me short, merr pjesë publiku, përfaqësuesit e partive politike, koalicionet dhe media. Pas nxjerrjes së tetë emrave nga kutia, secili nga përfaqësuesit e dy partive të pozitës dhe dy partive të opozitës me numrin më të madh të mandateve në Kuvend, ka të drejtë të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit, duke mos pasur të drejtën e kundërshtimit asnjë nga partitë e tjera. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit dhe është procedurë e fshehtë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kur konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë, organizon një hedhje të dytë të shortit, për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga partitë politike. Tetë emrat që mbeten përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe menjëherë delegohen në këtë detyrë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Brenda 24 orëve nga përzgjedhja me short, të tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, në një ceremoni publike, në prani të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës bëjnë betimin. Në mënyrë që të krijohet mundësia e përmbushjes së këtyre detyrimeve ligjore në afat nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, paraprakisht, me shkresën Nr. 44 Prot, datë 14.01.2009 i është kërkuar informacion Kuvendit të Republikës së Shqipërisë mbi dy partitë e pozitës dhe dy partitë e opozitës me numrin më të madh të mandateve në Kuvend.
Kush gjyqtar përjashtohet nga shorti
a) është vendosur fillimi i çështjes penale
b) është në fuqi një masë disiplinore
c) është filluar procedimi disiplinor
Detaj
5 ditë pas dekretit të Presidentit për dekretimin e datës së zgjedhjeve, hidhet shorti për përzgjedhjen e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor
8 do të jenë gjyqtarët që do përzgjidhen për në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë