E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra e Qafë-Gjashtës, nis gjykimi, shoqërohet me debate të shumta



Masakra e Qafë-Gjashtës më në fund nisi ecurinë e saj si proces gjyqësor pas shtyrjeve të njëpasnjëshme. Prokurori i çështjes, Anton Martini, mundi të lexojë kërkesën për gjykim, duke renditur rrethanat e ngjarjes, viktimat, të plagosurit dhe provat që dispononin për të provuar akuzat. Gjithashtu, prokurorët do të sjellin rreth 100 dëshmitarë, me të cilët pretendojnë të provojnë akuzat e ngritura. Vetë të pandehurit e akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë, Gjergji Mehmeti, plagosjen e punonjësit tjetër të policisë, Sokol Bizhga, kanë mohuar dje akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një e nga një, për afro 4 orë, avokatët mbrojtës dhe vetë të pandehurit kanë dhënë argumente të ndryshme, duke i cilësuar hetimet e prokurorisë të cekëta, jo shumë të thelluara, ndërsa kanë sqaruar se në bankën e të akuzuarve duhet të ishin persona të tjerë, autorët e vërtetë të ngjarjes së 4 marsit të vitit 1997. “Na kanë sjellë gabimisht. Ngjarja është e rëndë, se ka ikur një jetë personi. Na kanë marrë me forcë. Sa herë na kanë thirrur për të dhënë shpjegime, jemi paraqitur. Po të isha vetëm një grimcë fajtor, do të isha larguar nga Saranda, ashtu siç kanë bërë të tjerë persona”, - deklaroi dje i pandehuri Vladimir Sinani. Ndërsa avokati i tij mbrojtës, Vladimir Gërmenji, sqaroi: “Provat e prokurorisë nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin prej meje. Hetimi i bërë nga akuza tregojnë pafajësinë e tij. Klienti im së bashku me të vëllanë e tij, ditën e ngjarjes ishin duke ruajtur karburantin e dy vëllezërve Vaso. Klienti im ka nxjerrë nga makina e djegur trupin e pajetë të efektivit të vrarë, Gjergji Mehmeti dhe e ka mbështjellë atë me çarçaf”. Më tej, avokati theksoi se çështja ishte politike. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i të pandehurve Eduart Çipa dhe Alqi Paguni sqaroi pozicionin e klientëve të tij. Sipas mbrojtësit Artan Kodheli, Paguni kishte qenë rastësisht në karburantin e dy vëllezërve Vaso për të furnizuar automjetin e tij. Madje, ai vuri në dukje se klienti i tij nuk duhet të ishte sjellë për gjykim, kjo për vetë faktin se Gjykata e Lartë, përveç lirimit të tij, kishte argumentuar se ndaj tij nuk kishte prova që të merrej i pandehur. Ndërsa për të pandehurin tjetër, mbrojtësi bëri me dije se ai e ka shpjeguar organin e akuzës se nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, çka sipas tij, do të thotë që ai nuk duhet të ishte bërë objekt gjykimi. Pretendimet për pafajësinë e të pandehurve janë theksuar më shumë edhe nga ana e avokatit Ferdinand Ndoja. Sipas tij, sot në bankën e të akuzuarve nuk janë autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje. Sipas mbrojtësit, në bankën e të akuzuarve duhej të ishte autori i plagosjes së rëndë të dëshmitarit Fatos Mahmutaj. Në mbyllje të deklarimeve të tyre, mbrojtësit i kërkuan gjykatës që të pranonte marrjen e provave të kërkuara nga ana e tyre. Kryesisht, provat kishin të bënin me dëshmitarët, numri i të cilëve arrinte në 100, administrimin e disa kaseta filmike, në të cilat shfaqen pamjet e ngjarjes së 4 marsit. Të pandehurit e këtij procesi janë Vladimir Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Admond Sejko, Agron Qurku, Aleksandër Bala, Mikel Këndezi, Nestor Sinani, Arben Këndezid dhe Ristan Lapa.

Debatet

Është shoqëruar me debate të shumta procesi gjyqësor në ngarkim të 10 të pandehurve të akuzuar për ngjarjen e 4 marsit të vitit 1997. Debatet mes palëve kanë nisur në momentin kur prokurori përfundoi së lexuari kërkesën për gjykim dhe ishin duke u marrë provat. Dy nga gjyqtarët e trupit gjykues konstatuan se një nga avokatët e pranishëm në seancë, Sazan Aliko, ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Vlorës dhe ka dënuar disa nga të pandehurit për vepra të ndryshme penale, që nuk kanë të bëjnë me objektin nën gjykim tashmë. Vetë gjyqtari Sazan Aliko ka shpjeguar trupin gjykues, të kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, se nuk përbënte asnjë pengesë në mbrojtjen e klientit të tij, pasi ai ishte dënuar dhe e kishte shlyer atë dënim. Po ashtu, mbrojtësit e tjerë kanë sqaruar se këta të pandehur janë gjykuar për vepra të tjera penale, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit. Por nga ana e tij, prokurori i kërkoi gjykatës përjashtimin e avokatit Aliko dhe caktimin e një tjetër avokati, për të mbrojtur interesat e të pandehurit. Gjykata në fund vendosi që avokati Aliko të vazhdojë mbrojtjen e këtij të pandehuri.

Akuzat

“Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”

“Vrasje e mbetur në tentativë

“Plagosje e rëndë me dashje”

“Armëmbajtje pa leje”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›