PS: Qeveria shkel ligjin për spotet televizive
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë shqiptare se ka shkelur ligjin për reklamat dhe spotet televizive. Sipas deputetit të PS-së, Musa Ulqini, ligji thotë që spotet nuk duhet të kenë përmbajte të rremë e sipas tij, të gjitha të dhënat që janë deklaruar nga qeveria tek spotet, nuk janë reale. “Reklamat dhe spotet qeveritare janë një shembull cinik i keqpërdorimit të parave të taksapaguesve. Ndërsa shtohen mungesat në shërbime dhe sektorë jetikë, qeveria vetëm në 4 muajt e fundit ka shpenzuar disa qindra milionë lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për të prodhuar reklama dhe spote, ku flitet për suksese dhe arritje të munguara pikërisht në këto shërbime dhe sektorë”, - tha Ulqini. Ai deklaroi se mungesa e transparencës për koston e reklamave dhe spoteve qeveritare është një tjetër shkelje e ligjit nga ana e enteve dhe administratës shtetërore.
Balla: Pa karta identiteti, s’ka zgjedhje të lira
Selia rozë vazhdon të jetë kritike ndaj procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Integrimit në PS, Taulant Balla, tha dje se procesi i shumëpritur dhe tejet i vonuar i shpërndarjes së kartave të identitetit dështoi që në ditën e parë, sepse sistemi u bllokua brenda tri orëve të para dhe qytetarët nevojtarë u shtynë në radha.
“Sali Berisha lëshoi dy ditë më parë demagogjinë e radhës, duke u munduar të kamuflojë për të suksesshëm një proces që dështoi. Sot Sali Berisha na tregoi se "kjo ishte loja", duke e cilësuar atë si një provë, por në fakt ai vazhdon të tallet me shqiptarët. Një javë rresht lajmëroi nisjen e procesit në datën 12 janar, dhe jo nisjen e provave për shpërndarjen e letërnjoftimeve”, - shtoi Balla.
Balla shtoi se një kryeministër i përgjegjshëm duhet të miratonte vendimin e Këshillit të Ministrave për subvencionin e letërnjoftimit për kategoritë e veçanta, para se të niste procesi. “Në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin gjithçka i është lënë rastësisë dhe konfuzionit, qëllimisht, ndaj PS-ja përsërit: Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri! Për këtë qëllim është i rëndësishëm prioritizimi i pajisjes me karta identiteti të qytetarëve pa pasaporta të vlefshme për votim”, - tha ai.