E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i “dosjeve” detyron Zamir Shtyllën të japë dorëheqjen



Drejtuesi i hetimeve për “Gërdecin” jep dorëheqjen, jo vetëm nga drejtimi i kësaj çështjeje, por edhe nga funksionet drejtuese që mban në Prokurorinë e Përgjithshme. Ligji i “dosjeve” duket se ka shtyrë dje Zamir Shtyllë të japë dorëheqjen dhe kërkesa për dorëheqjen nga këto funksione i është dorëzuar dje Kryeprokurores Ina Rama, pak para mbarimit të orarit zyrtar të punës, ndërkohë që është bërë publike vetëm një orë më pas nga organi qendror i akuzës. Po nga Prokuroria e Përgjithshme, mësohet se Ina Rama e ka pranuar dorëheqjen e z. Shtylla. Nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se znj. Ina Rama ka konfirmuar dje se drejtori i Hetimeve në institucionin që ajo drejton, i ka paraqitur një letër dorëheqjeje, nga detyra drejtuese që mbante. Gjithashtu, sipas konfirmimit të zonjës Ina Rama, Shtylla ka kërkuar dhe largimin e tij nga grupi i hetimit të tragjedisë së Gërdecit. Por edhe vetë prokurori Shtylla ka konfirmuar paraqitjen e kërkesës për dorëheqje, duke mos komentuar më tepër këtë veprim të tij. Shtylla i kërkon Kryeprokurores Ina Rama dorëheqjen dhe largimin nga detyra për hetimin e tragjedisë së Gërdecit, si dhe dorëheqje nga Drejtoria e Hetimit dhe Kontrollit në Prokurorinë e Përgjithshme. “Jap dorëheqjen dhe kërkoj që kjo dorëheqje të kihet parasysh nga ana juaj, si drejtor i Drejtorisë së Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, kërkoj të pranoni largimin tim nga grupi i prokurorëve të ngjarjes së Gërdecit, e ndodhur më 15 mars 2008”, - thuhet në kërkesën e Shtyllës drejtuar Prokurores së Përgjithshme. Konfirmohet se Shtylla nuk ka dhënë motivacion në letrën e firmosur prej tij, lidhur me shkaqet që e çuan në dorëheqje. Ndërsa lihet të kuptohet nga letra, se Shtylla mbetet prokuror i thjeshtë, pra largohet vetëm nga funksionet drejtuese. Mendohet se vendimi i Shtyllës të ketë ardhur si pasojë e presioneve të kohëve të fundit, si dhe akuzave publike të disa ish-të përndjekurve që thanë se ai ka qenë ndër personat që ka keqtrajtuar rebelët kundër regjimit diktatorial. Gjithashtu, dorëheqja e Shtyllës i paraprin edhe zbatimit të ligjit për “dosjet”, i cili pritet të hidhet në veprim gjatë javëve që vijojnë, pasi nuk u dekretua nga Presidenti dhe për rrjedhojë, mori fuqi ligjore.

Kërkesa e Shtyllës

“Jap dorëheqjen dhe kërkoj që kjo dorëheqje të kihet parasysh nga ana juaj, si drejtor i Drejtorisë së Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjithashtu, kërkoj të pranoni largimin tim nga grupi i prokurorëve të ngjarjes së Gërdecit, e ndodhur më 15 mars 2008”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›