E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, Apeli dënon me 25 vjet burg shtetasin Murrja

Për disa vite ngeli mister si vrasje, ndërkohë që autori i dyshuar dhe tashmë i dënuar erdhi në Shqipëri për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë angleze. Vrasja e bashkatdhetarit të tij, 6 vjet më parë, në Angli, i ka kushtuar plot 25 vjet heqje lirie të dyshuarit për këtë krim, Arben Murrjes. Vendimi është dhënë nga togat e zeza të Gjykatës së Apelit Tiranë, të cilat ashpërsuan dënimin e Murrjes edhe me 5 vjet më shumë, krahasuar me vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur më 27 mars të vitit 2003, teksa Jahelezi po ecte në brendësi të “Cannon Hill Park” të qytetit të Birmingamit, në shoqërinë e dy miqve të tij. Pas një zënke me fjalë, Murrja, që ishte nën shoqërinë e 22-vjeçares angleze, Caroline Lowe, ka nxjerrë thikën nga brezi, duke e goditur atë disa herë. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, i pandehuri është larguar nga qyteti i Birmingamit dhe më pas është rikthyer në Shqipëri. E reja angleze u dënua vetëm me 80 orë punë vullnetare nga Gjykata e Krimeve në Birmingam. Dëshmitë e vajzës, e cila ditën e ngjarjes ka qenë me viktimën, zbardhën edhe krimin e ndodhur gjashtë vite më parë. Gjatë hetimeve u bë e mundur të identifikohej i dyshuari dhe të kapej në Tiranë gjatë vitit 2005, ndërsa kishte ndryshuar dhe emrin e tij nga Arben në Petrit Murrja. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e shpalli fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie të pandehurin. Pas apelimit të vendimit nga ana e prokurorisë, Gjykata e Apelit e ashpërsoi vendimin e saj, duke e dënuar me 25 vjet burg, njësoj sa edhe kërkesa e prokurorisë. Arben Murrja akuzohej për veprën penale të "vrasjes me paramendim", akuzë për të cilën u dënua edhe nga dy shkallët e gjyqësorit.

Masakrimi

Murrja akuzohet se ka masakruar me një thikë ushtarake të riun Arbër Jahelezi, më 27 mars të vitit 2003, në vendin e quajtur “Cannon Hill” të qytetit të Birmingamit, kur viktima ishte i shoqëruar nga një femër bionde me kombësi angleze. Gjatë të gjitha seancave gjyqësore që u zhvilluan në këtë qytet, prokurori Christofer Millingon hidhte dyshime se vrasësi nuk mund të ishte tjetër, veçse një shqiptar dhe shkaku do të kishte qenë një grindje banale mes tyre, duke qenë se në brendësi të ngjarjes ishte edhe 22-vjeçarja angleze, Caroline Lowe. Akuza deklaroi se Carolina u dënua me 80 orë punë vullnetare dhe dy vjet pjesëmarrje në qendrat e rehabilitimit, por gjithsesi në asnjë moment ajo nuk pranoi të tregonte emrin e vrasësit. Për rreth dy vjet hetime, mundën të zbardhin emrin e vërtetë të vrasësit, i cili pas arrestimit në Tiranë, ka pohuar se pas ngjarjes ishte zhdukur nga Birmingami në drejtim të një qyteti tjetër, e më pas kishte mundur të mbërrinte në Shqipëri.

Hetimet

Prokurorët nuk kishin provë tjetër në dorë, përveçse disa karakteristikave të vrasësit, të cilat u morën nga vajza dhe nga dëshmitarët. Prokurori i Millingtonit kishte deklaruar disa herë se vrasësi duhet të ishte shqiptar, përderisa ishte një grindje e momentit dhe dihej që ai mbante veshur pantallona të zeza dhe ishte 1.80 i gjatë. Në krye të dy viteve, u arrit të zbardhet edhe vrasja e radhës në Angli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›