E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD rrëzon Alibeajn për gjyqtarët e rinj

Nga Bledar Lumani

Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi në mbledhjen e djeshme propozimin e ministrit të Drejtësisë për të shpallur dhjetë vende vakante të konsideruara prej tij të përshtatshme për emërimin përfundimtar të dhjetë studentëve të Shkollës së Magjistraturës.

Këto propozime iu referuan përkatësisht gjykatave të rrethit gjyqësor Lezhë, Korçë, Fier, Kavajë (nga dy vende), si dhe Lushnjë dhe Shkodër (nga një vend). “Ndaj një pjese të propozimit të ministrit të Drejtësisë, për të vënë në dispozicion të magjistratëve dhjetë vende vakante në gjashtë gjykatat e sipërcituara të rretheve gjyqësore, Këshilli paraqiti kontestime. Konkretisht, u evidentua prej tij papërshtatshmëria e vakancave pranë gjykatave të rrethit gjyqësor Kavajë dhe Lezhë. Arsyet e këtij qëndrimi, lidhen me zbatueshmërinë e vendimit Nr. 216/3, datë 28.09.2007 të vetë këtij Këshilli. Sipas këtij akti, një vit më parë është vendosur se gjykatat e rretheve gjyqësore në prefekturat e Tiranës dhe Durrësit, ku përfshihet edhe ajo e Shkallës së Parë Kavajë, konsiderohen gjykata karriere dhe nuk shërbejnë për emërimin fillestar të gjyqtarëve të rinj. Gjithashtu, gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë, organika e të cilës pas transferimit nga gjykata e suprimuar e rrethit Mirditë, është superuar me tre gjyqtarë, u konsiderua e papërshtatshme për emërime të reja.

Pavarësisht nga konsensusi mbi gjashtë vendet e tjera vakante - përkatësisht në rrethet gjyqësore Korçë, Fier, Lushnjë dhe Shkodër - pranueshmëria pjesore e propozimit të ministrit të Drejtësisë nuk u shoqërua me shpallje të vakancave. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, bazuar edhe në prononcimin e vetë ministrit të Drejtësisë, vlerësoi propozimin e tij mbi 10 vende vakante, si një akt të vetëm të shprehjes së vullnetit, duke e rrëzuar atë në tërësinë e tij”, - thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Nisur dhe nga ky vlerësim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë theksoi se mungon një studim tërësor, që Ministria e Drejtësisë është angazhuar të kryejë, mbi nevojat për ndryshim të organikave pranë gjykatave të rretheve gjyqësore dhe atyre të apeleve, së bashku me treguesit që përcaktojnë nevojat e këtyre ndryshimeve.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë vlerëson se një studim i tillë nevojitet të merret në analizë të gjithanshme, me qëllim përshtatshmërinë e vendimmarrjes nga ky Këshill, jo vetëm për emërimin e gjyqtarëve të rinj, por edhe për vlerësimin e kërkesave për transferim të atyre gjyqtarëve, të cilët prej disa vitesh ushtrojnë këtë detyrë në gjykata larg vendbanimit të tyre”, - thuhet në njoftimin e KLD.

Gjithashtu, ditën e djeshme Këshilli vendosi miratimin e disa akteve nënligjore, me anë të të cilave janë përcaktuar rregullat mbi procedurën e hedhjes së shortit në gjykata dhe ato mbi solemnitetin gjatë gjykimit të çështjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›