Përse na duhet fjala e lirë?
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, po punon që të mbyllet gazeta “TemA”.
Mirë e ka. Nuk ka punë më të ngutshme në politikën shqiptare sot sesa mbyllja e gazetës “TemA”. Kryeministri shqiptar nuk ka detyrë më të rëndësishme, më të shenjtë sesa mbyllja e gazetave që nuk përputhen me mendimin zyrtar.
Ne, shqipfolësit që jetojmë jashtë Shqipërisë e që kërkojmë informata për Shqipërinë me anë të medias shqiptare në internet, ka kohë që i ndjekim me indinjatë të thellë gjynahet e gazetës “TemA”.
Gjynahu i parë është që në faqet e kësaj gazete paraqiten shkrimet e njerëzve që mendojnë me kokën e vet. Kështu, subjekte të rrezikshme si p.sh., Enis Sulstarova, Ergys Mërtiri, Shpend Jeshnica e lëre Mero Bazen e shumë të tjerë i joshin edhe lexuesit të gazetës që të mendojnë me kokën e vet, kurse është puna e qeverisë të na thotë neve, sipas një tradite të shëndoshë, çka duhet të mendojmë.
E dyta, “TemA” merr guximin ta kritikojë, d.m.th., ta sulmojë qeverinë shqiptare që na solli e na sjell mrekulli fantastike si Gërdecin, Durrës-Kukësin, Fazlliçin, një kryeministër me sharjet, fyerjet dhe kërcënimet e tij publike etj. Të gjitha teatrot e Shqipërisë nuk na ofrojnë prurje aq argëtuese dhe zbavitëse sa qeveria e Shqipërisë, mbi të cilën gazeta “TemA” hedh baltë e vrer.
Është koha e fundit sa kurrë më përpara t'i mbyllet goja “TemA”-s!
Ku na duhet fjala e lirë! Neve nuk na duhet fjala e vërtetë! “Çka është e vërteta?” - tha guvernatori i urtë i perandorit romak në rrëfimin për kryqëzimin e më të pafajshmit të të pafajshmëve.