KLD shkrin Apelin e Vlorës
• TIRANE - Pas shkarkimit të tre gjyqtarëve të Apelit të Vlorës, ish-kryetares Gjinovefa Gaba dhe dy gjyqtarëve Vasil Hanxharidhe Sokol Ngresi, KLD-ja do vazhdojë në mbledhjet e ardhshme me procedurat e tre gjyqtarëve të tjerë Meme Rexho, Iliba Bezati dhe Alaudin Malaj, ndërsa ky i fundit është transferuar në Apelin e kryeqytetit. Procedimet e tyre disiplinore për shkarkim janë kërkuar në KLD nga ministri i Drejtësisë dhe pritet të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme. Edhe këta, njëlloj si tre ish-kolegët e tyre, janë gjetur me shkelje nga inspektorët për procese që kanë gjykua nga qershori 2004 deri në qershor të vitit të kaluar, kur u krye inspektimi në këtë gjykatë. Në fund të vitit të kaluar ministri vuri në lëvizje kërkesat për procedimin e tyre, ndërsa KLD, për shkak të kompleksitetit të çështjeve vendosi t’i shqyrtojë kërkesat një nga një për çdo mbledhje. Mbledhja e radhës pritet të zhvillohet fundjavën e ardhshme, ku do të shqyrtohet procedimi për gjyqtaren Meme Rexho. f.m.