“Policët e korruptuar në burgje, fajin e kanë drejtorët”
TIRANE - Transparenca e pagave, pagesat suplementare të tyre, problemet me kontingjente kriminale në këtë sektor, si dhe ish-punonjësit që qëndrojnë në SHKB-në e burgjeve që nga koha e komunizmit, janë problemet që shqetësojnë më se tepërmi Sindikatën e Shërbimeve Policore të Shqipërisë, e cila funksionon prej tre vitesh në një numër prej 4500 anëtarësh. Këto probleme i bën publike Valentin Macaj, kreu i kësaj sindikate, i cili komenton edhe rastet e shumta të futjes së sendeve të paligjshme në burgje duke thënë se përveç korrupsionit të policëve, për këtë kanë faj edhe drejtuesit e burgjeve. Sipas tij policët e burgjeve, nuk kanë gëzuar asnjë të drejtë ligjore sociale përveç pagës e uniformës. “Kërkesat e shumta të Sindikatës lidhur me pagën, shtesat, orët e natës, suplementaret, trajtimin ushqimor, kanë filluar të marrin zgjidhje që në fillim të 2009-ës. Shumica e IEVP i ka shlyer detyrimet e orëve të natës për 2009 dhe po vazhdon rregullisht këtë vit. Theksoj se në shumë burgje mungon transparenca e financës lidhur me pagat e policëve. Problem ngelet edhe uniforma e cila në shumicën e rasteve mungon nëpër burgje edhe pse Qeveria ka dhënë fonde të mjaftueshme. Mungon trajtimi ushqimor edhe pse është garantuar përfitimi i tij. Ekziston një VKM për këtë qëllim dhe nuk kuptojmë pse ka aq shumë hezitim nga burgjet për ta vënë në zbatim. Jemi dëshmitarë që 70% e ushqimit që gatuhet për të dënuarit derdhet në koshin e mbeturinave. Derdhen në kosh taksat e shqiptarëve dhe nuk përfiton një vakt ushqimor rojtari i ligjit!”, thotë Macaj. Sipas tij problem aktual është transferimi i shumë policëve në burgje që janë larg banesës së tyre dhe që u krijon kushte jo normale jetese. “Shkak për këto lëvizje, thuhet se janë lidhjet familjare me të dënuarit apo dhe nepotizëm në administratë. Ne po evidentojmë rast pas rasti dhe po mbajmë qëndrim për ato raste që abuzohet me të drejtën e policit”, pohon më tej Macaj. Në lidhje me problematikën e policëve të burgjeve e trajtuar nga institucione të tjera, Macaj pohon se: “Disa herë, policë të burgjeve, kanë tentuar të flasin apo të ankohen në adresë të Avokatit të Popullit lidhur me kushtet e punës së tyre. Hera e fundit është një bisedë private e një ndihmës komisioneri që merr postën e të dënuarve në Rrogozhinë. çuditërisht kjo bisede mori nota të forta mediatike dhe u konsumua si problem i madh që po ngre Avokati! Jo me larg se dy muaj më parë ishte ky “Avokat” që largoi nga puna disa policë në IEVP Korçë për gjoja dhunë ndaj të dënuarve dhe tani na del në mbrojtje të policisë së burgjeve! Sindikata jonë është drejtuar me letër pranë këtij institucioni që të bashkëpunohet në interes të policit, por edhe sot që flasim nuk kemi asgjë konkrete!”. I pyetur për inkriminimin e policëve të burgjeve, Macaj pohon se ngjarjet e pa këndshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin në burgje kanë si shkak mungesën e ndershmërisë në detyrë nga ana e punonjësit që e kryen këtë veprim të paligjshëm. Sipas tij futja e sendeve të ndaluara brenda në burg ka lidhje edhe me punën e dobët që drejtuesit dhe specialistet e policisë kryejnë në disa institucione. Kjo pasi Sektorët e Burimeve Njerëzore në burgje nuk kërkojnë të dhëna sa duhet për çdo polic gjatë procesit të rekrutimit për punë dhe si përfundim shohim me uniforme persona që kanë qenë kontingjent i krimit të vjedhjes apo shkeljes së ligjit gjatë jetës civile. “Futja e sendeve të ndaluara në burgje ka lidhje me punën e dobët të drejtuesit dhe specialistëve në disa institucione”, pohon Kreu i Sindikatës, Macaj pohon se Sindikata po përgatitet që të protestojë për të drejtat e anëtarëve të saj. “Do të protestojmë për moszbatimin e ligjit “Për Policinë e Burgjeve”, lidhur me dhënien e gradave dhe përfitimit të pagesës sipas tyre. Mosdhënia e trajtimit ushqimor, orëve suplementare, uniformave, transportit në disa IEVP, transferimet pa shkaqe të arsyeshme të policëve, mungesa e transparencës së pagave nga ana e sektorëve të financës do të jenë shkak që të ngremë zërin tonë të protestës. Por kjo do të ndodhë pasi të mbarojnë protestat politike dhe ku policët do të jenë më të lirë nga angazhimet e tyre. Gjej rastin që t’i bëj thirrje policisë së shtetit dhe në përgjithësi gjithë shërbimeve policore që operojnë në vend, që të qëndrojnë larg ndikimeve politike dhe të zbatojnë në çdo moment ligjin dhe vetëm ligjin. Sa me larg politikës, aq më mirë për të drejtat tona dhe aq me shumë fitojmë mbështetje ligjore!”, përfundon Macaj.