E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLMDNJ:EULEX-i dështoi në provën e parë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Kosovë nëpërmjet një komunikate ka vlerësuar se EULEX-i, ka dështuar në provimin e parë, të cilin sipas kësaj organizate duhet ta kalonte me lehtësi. Dështimi i rifillimit të punës së Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, ku EULEX-i kishte caktuar një gjykim me datën 2 mars, sipas këtij këshilli, nuk është aspak sinjal inkurajues se më në fund, sundimi i ligjit do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. "Me këtë dështim EULEX-i po humb të drejtën morale të organizojë procese gjyqësore në gjykatat ku do të gjykohen shqiptarët dhe joserbët, ndërkohë që nuk është në gjendje të organizojë procese gjyqësore në gjykata që administrohen nga serbët", thuhet në reagimin e kësaj organizate. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka shtruar pyetjen se "përse do të duhej të organizoheshin gjykime në Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan nga EULEX-i, e të mos organizohen në Mitrovicë?! Pse EULEX-i u bënë lëshime ekstremistëve serb. Gjithashtu, kjo organizatë ka kundërshtuar zbatimin e dy legjislacioneve në Kosovë, Kodin e Procedurës Penale, e aprovuar nga UNMIK-u, për serbët dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shqiptarët dhe joserbët. "Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut ka frikë se ndarja e brendshme territoriale sipas parimit etnik, po reflektohet edhe në zbatimin e ligjit", thuhet në fund të reagimit të kësaj organizate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›