E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: 22 mln euro abuzime, 60% në Tatime e Dogana

Nga Genc Kondi
Edhe 22 milionë euro të tjera, të shpërdoruara, të vjedhura apo të humbura nga paaftësia ose me qëllim u shtohen miliona eurove të tjera, janë konstatuar tashmë nga KLSh gjatë kontrolleve të ushtruara.
KLSH: 28 MLN SHPERBLIM 

TIRANE- Ekipet e KLSH-së, në 107 kontrolle të ushtruara në periudhën 9-mujore, nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, kanë konstatuar parregullsi e shkelje të karakterit financiar, si në të ardhurat, ashtu edhe në shpenzime të kryera nga punonjës të shtetit, në masën e përgjithshme 2 miliardë e 716 milionë e 631 mijë lekë të reja. Ky dëm ekonomik i përket veprimtarisë së organeve të ndryshme shtetërore, në qendër e në pushtetin vendor, nga viti 2005 deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në vazhdim.
Kontrolli i Shtetit njofton nga ana tjetër, se për 99.5% të këtij dëmi është kërkuar zhdëmtimi materialo-financiar nga personat përgjegjës, ndërkohë që ndaj 24 zyrtarëve është depozituar kallëzim penal pranë organit të akuzës.
Në këtë mënyrë, duket se propaganda për luftën anti-korrupsion nga ana e qeverisë nuk ka pasur ato rezultate që shpallen. Korrupsioni është ngulitur thellë në të gjitha hallkat e shtetit, duke filluar nga ato organe të tij, detyra e të cilave është kontrolli i të ardhurave e shpenzimeve buxhetore. Kështu, sipas raportit të KLSH-së, më shumë se një miliard lekë të reja llogaritet dëmi e shpërdorimet në fushën e Tatim-Taksave. Këto dëme konstatohen në degët tatimore të Korçës, Tiranës, Elbasanit, Pogradecit, Vlorës, ku spikatin detyrime të pambledhura tatimore për tatim-fitimin, TVSH-në, dividendin e tatimin në burim, por dhe për moszbatim të detyrimeve ligjore për mbledhjen e taksave vendore, etj.
Ndërkohë, afro 700 milionë lekë të reja abuzime vihen re në degët e doganave Tiranë, Berat, Shkodër, Fier, Sarandë, Vlorë, Qafë Thanë e Bllatë, ku janë konstatuar se për mallra e autovetura janë lejuar evazione në zhdoganim, etj.
Për sa i përket pushtetit vendor, në fushën e taksave janë konstatuar abuzime nga Këshilli i Qarkut Korçë, Bashkia Durrës, Komuna Farkë, Komuna Proptisht, etj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›