E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet kundër ligjit, 2,8 mln shpërblim për vetveten

Nga Genc Kondi
 

TIRANE- Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zhvilluar gjatë periudhës nëntëmujore të vitit 2008, 116 kontrolle, nga 107 të programuar, nga të cilat 62 kanë qenë të kombinuar, 46 kanë qenë të fokusuar mbi rregullshmërinë dhe ligjshmërinë, 4 prej tyre ishin vlerësues dhe 4 të tjerë, tematikë. Ajo që bie në sy në përfundim të punës së ekipeve të këtij institucioni, është numri shumë i lartë i masave administrative e disiplinore që janë propozuar për t’u marrë ndaj zyrtarëve të cilët kanë toleruar shkelje, për të përdorur termin më të butë të mundshëm në këtë drejtim. Numri i këtyre propozimeve është 693.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, jo vetëm që ka lejuar shkelje të ndryshme, me një faturë të rëndë për Buxhetin e Shtetit në realizimin e të ardhurave e shpenzimeve, por ajo, edhe në fushën e shpërblimit të punonjësve të saj ka lejuar gjithashtu abuzim. Sipas ekipeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që kanë vëzhguar veprimtarinë financiare të këtij institucioni qendror, del se aty janë dhënë, gjatë periudhës së marrë në shqyrtim, 2 milionë e 833 mijë lekë të reja shpërblime të padrejta punonjësve. E gjithë kjo ka ndodhur gjatë kohës së mandatit qeveritar të Ekzekutivit ‘Berisha’, ndërkohë që drejtuesit e kësaj drejtorie, edhe kur janë larguar prej saj, janë “graduar”. Si mund të presësh që të kërkojnë zbatimin e ligjit për subjektet private të tillë zyrtarë, këtë mund ta thotë më mirë Kryeministri e ministri i Financave, Bode, nga të cilët varen direkt punonjësit e këtij sektori të administratës shtetërore.
Shpërblime të padrejta, sipas KLSH-së, rezulton që të jenë akorduar edhe në Spitalin Ushtarak Qendror në Tiranë, komunat Kryevidh, Farkë, Dajt, bashkitë Elbasan e Lushnje, Këshillat e Rretheve në Kukës e Lezhë, drejtorinë arsimore rajonale të Vlorës apo projektin e menaxhimit të burimeve ujore.
Ndërkohë, vazhdojnë të mbeten problematike shkeljet në fushën e urbanistikës, ku rezultojnë afro 158 milionë lekë shkelje në komunat e Dajtit e të Farkës në Tiranë, bashkinë e Divjakës në Lushnje si dhe në Këshillin e Qarkut të Korçës, kryesisht për mosvjeljen e detyrimeve fiskale për ndërtimet apo investimet.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›