E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: Administrata, dëm buxhetit të shtetit, 3.5 miliardë lekë

TIRANË- Institucionet shtetërore i kanë shkaktuar buxhetit një dëm financiar prej 3.5 miliardë lekësh. Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se gjatë verifikimeve të bëra në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, në disa institucione janë hasur shkelje, të cilat kapin shifra të konsiderueshme.


Kontrollet të cilat përfshijne vitet 2007, 2008 dhe tremujorin e parë të këtij viti janë shtrirë në disa institucione, ku bëjnë pjesë ministritë dhe administrata qendrore, pushteti vendor, institucione të regjistrimit dhe të administrimit të pronës, tatim-taksat, doganat, etj.


Sipas të dhënave të ofruara nga KLSH, gjatë kësaj periudhe janë kryer rreth 80 kontrolle, ku në bazë të shkeljeve të kryera, vendin e parë e zenë tatim-taksat me rreth 2.1 miliardë lekë.


Në këtë sektor, shkeljet kanë të bëjnë me, mosmbledhjen e taksave vendore, siç është ajo për ndikimin në infrastrukturë, mosmbledhje të tatimit mbi të ardhurat personale, mosvjelje të tatimit në burim, etj.


Kështu, në Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor në Durrës KLSH raporton për një shkelje në nivelin e 803 milionë lekëve, në atë të Fierit 338 milionë lekë, në Lezhë 135 milionë, në Korçë 587 milionë, etj.


Për sa i përket sektorit të shitjes apo dhënies me qira të pasurisë shtetërore, abuzimet kapin shifrat e 561 milionë lekëve.


Nga e gjithë kjo shumë, pjesën dërrmuese e ka shkaktuar Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave me 538 milionë lekë, për shkak se nuk ka vjelur detyrimet që nënte subjekte i kanë shtetit për marrjen me qira të një fondi pyjor prej 23 hektarësh.


Ndërsa shkelja që Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton për doganat kap vlerën e rreth 300 milionë lekëve, ku në vend të parë qëndron ajo e Kakavijës me rreth 276 milionë.


Kryesisht shkeljet në këto pika kanë të bëjnë me mosmbledhjen e detyrimeve doganore nga moszbatimi i procedurave në zhdoganim, ku përfshihet edhe ai i autoveturave. Arsye tjetër për akumulimin e një dëmi të tillë KLSH rendit edhe penalitetet e pavendosura ndaj subjekteve për mosplotësim të saktë të deklaratës doganore e të dokumentacionit.


Në rreth 166 milionë lekë vërtitet dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit si pasojë e moszbatimit të procedurave të rregullta në prokurimet publike. Në vend të parë qëndrojnë , Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Tiranë, me respektivisht 11 dhe 85 milionë lekë të shkuara dëm.


Në listën e shkelësve në procedurat e prokurimit publik duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme bëjnë pjesë edhe , Drejtoria e Arsimit Durrës me 10.7 milionë lekë, zyra e ALUIZNI-t në Tiranë me 6 milionë, Ministria e Arsimit me 5.9 milionë, etj.


Sektorë të tjerë në të cilët KLSH-ja ka hasur në abuzime janë ato të Sistemit të Pagave, Shpenzimet Operative, Shpërblimet, etj., të cilat në total përbëjnë një dëm deri në 420 milionë lekë.

Shkeljet
Sektori Shuma
Tatim-Taksat 2 mld lekë
Dhënie me qira /shitje
të pasurisë shtetërore 561 mln lekë
Doganat 300 "
Prokurimet Publike 166 "
Pagat 6.8 "
Shpenzime Operative 11 "
Shpërblime 2.1 "
Të tjera 397 "
Totali 3.5 mld lekë

KLSH kallëzon 16 funksionarë

Krahas kallëzimit për shumë të tjerë janë kërkuar edhe largim apo paralajmërim për largim nga puna

TIRANË- Pas shkeljeve të hasura në administratë, që arrijnë në nivelin e 3.5 miliadrë lekëve, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar për ndjekje penale 16 persona nga gjashtë subjekte të verifikuara me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Krahas kësaj, për shumë të tjerë është kërkuar edhe marrja e masave të tjera administrative, paralajmërim apo largim nga puna, mosngritje në detyrë, etj.


Nga personat e kallëzuar, tre prej tyre janë nga Komuna Rrazhbull, tre nga Agjencia Rajonale e Shërbimit Tatimor Durrës, pesë nga ajo e Korçës, dhe dy nga ajo e Fierit. Po ashtu, në listën e personave të kallëzuar në prokurori, është edhe një funksionar i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor në Lezhë dhe dy nga komuna Luz i Vogël Kavajë. Në total, dëmi i supozuar se është shkaktuar nga shkeljet e kryera nga personat e sipërpërmendur kap shifrat e 1.9 miliardë lekëve.


Me përpilimin e listës së shkeljeve, Kontrolli i Lartë i Shteti i kërkon qeverisë që këto humbje të përfshihen në buxhetin e vitit 2010. Të njëjtën kërkesë kreu i këtij institucioni, Robert Çeku, i kishte bërë edhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, disa javë më parë gjatë raportimit në Kuvend për zbatimin e buxhetit të vitit 2008 duke mos gjetur miratimin e tij. Sipas Bodes, zhdëmtimi 100 për qind i dëmit prej 3.5 miliardë lekësh të shkaktuar nga shkeljet në administratë është i pamundur për shkak se do të rëndonte buxhetin e shtetit.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›