Tarifat e ujit do t’i vendosin Këshillat bashkiak

05/03/2005 Tarifat për ujin nuk do t’i vendosë më ERRU-ja por Këshillat Bashkiak e të komunave. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më datë 03.03.2005 amendimin e ligjit nr.8102, datë 28.03.1996 “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”. Amendimi është propozuar nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit në kuadër të reformës së decentralizimit në sektorin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimet. Sipas këtij ligji, kompetenca e miratimit të tarifave të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, nga përgjegjësi i Entit Rregullator të Ujit (ERRU) i transferohet këshillave të njësive të qeverisjes vendore. Deri tani tarifat e ujit të pijshëm miratoheshin nga Enti Rregullator i Ujit. Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të decentralizimit, pasi u krijon mundësi organeve të qeverisjes vendore të bëjnë politika favorizuese dhe të miratojnë tarifa të diferencuara për shtresat në nevojë, për nxitjen e biznesit të vogël etj. Ndërkaq ERRU ka në kompetencë të miratojë metodologjinë e përllogaritjes së tarifave dhe standardet minimale kombëtare të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, ndërsa njësitë e qeverisjes vendore, në bazë të metodologjisë së përllogaritjes së tarifave të miratuara nga ERRU, kanë kompetencë të vendosin tarifat e shërbimit.