E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Në Voskopojë dhe Pogradec janë grabitur miliona metra katrorë tokë

Nga Fitim Zekthi

Në Korçë, Pogradec dhe në Lezhë janë regjistruar dhe marrë të mënyrë krejtësisht të paligjshme më shumë se 2 milionë metra katrorë tokë dhe një numër i konsiderueshëm objektesh të tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri me dije dje se ai ka dërguar për ndjekje penale 23 zyrtarë lokalë të komisioneve të ndarjes së tokës dhe funksionarë të tjerë vendorë. Kontrolli i Lartë i Shtetit tha se në bazë të kontrolleve të tij në Korçë janë marrë në mënyrë të paligjshme më shumë se 1 milion metra katrorë tokë bujqësore. Saktësisht, janë marrë mbi 360 mijë metra katrorë tokë nga familjet që nuk kanë qenë banorë të kësaj zone në vitin 1991, pra janë marrë në mënyrë të paligjshme. Mbi 540 mijë metra katrorë të tjera janë dhënë nga komisionet e ndarjes së tokës për një kategori të caktuar familjesh sipër normës së caktuar për të tjerët. Gjithashtu, janë dhënë në mënyrë të paligjshme në 40 raste mbi 21 mijë metra katrorë stalla, magazina e objekte të tjera, të cilat nuk ishin objekt i ligjit për ndarjen e tokës. Ka raste, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, kur i njëjti person zotëron dy akte të marrjes së tokës në pronësi, domethënë ka marrë dy herë tokë. Në lidhje me këto shkelje të rënda të kryera në Korçë, sipas KLSH, janë dërguar për ndjekje penale dy ish-kryetarë të komisionit të kthimit të tokës në fshatin Voskopojë, pasi edhe abuzimet në atë vend janë kryer. Është e qartë se tokat në Voskopojë, një vend i lakmuar për bukurinë, kanë qenë preja kryesore e abuzimeve. Në lidhje me abuzimet në rrethin e Pogradecit, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se në fshatrat Tushemisht (vendi më i bukur buzë liqenit, në kufi me Maqedoninë), Vërdove, Peshkëpi, Rrëmenj, Guras etj., (që të gjithë pranë liqenit) janë dhënë në mënyrë të paligjshme 2,3 milionë metra katrorë tokë për persona që nuk kanë qenë fare banorë të zonës në vitin 1991 gjë e kërkon detyrimisht ligji. Të gjitha shkeljet i përkasin komunës së Buçimasit dhe bëhet fjalë për vendet më të bukura të Pogradecit, pranë liqenit. Këto i përkasin 667 rasteve. Abuzimet nuk kanë ndalur te 2,3 milionë metra katrorët; rreth 1 milion metra katrorë të tjerë janë dhënë pa firmë të kryeplakut dhe të përfaqësuesit të rrethit. Për 2,1 milionë metra katrorë të tjera veç shifrave të mësipërme nuk janë përcaktuar fare kufijtë mes parcelave. Në lidhje me të gjitha shkeljet në Pogradec janë çuar në ndjekje penale 21 zyrtarë të komisioneve të ndarjes së tokave dhe të këshillit të rrethit. Edhe Lezha ka qenë nën kontrollin e KLSH dhe kjo e fundit thotë se atje abuzimet kanë qenë të mëdha në regjistrimin e sipërfaqeve të ndërtimit dhe në ndarjen e tokës, pyjeve dhe kullotave. Në Lezhë pamja është po e njëjtë veç në sasi më të vogël dhe jo me milionë metra katrorë, por me qindra-mijëra të tilla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›