E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e munguar

Nga Baton Haxhiu

Le ta përmbledhim situatën në Kosovë. Fakti i ri që po ndodh në Kosovë është ky: Opozita për një kohë të gjatë po e zbulon veten si të dorëzuar para koalicionit PDK-LDK.

Pozita ka marrë përsipër të qeverisë vetë jetën politike në Kosovë, duke munguar një zë aktiv dhe i përgjegjshëm e me dije konkrete i opozitës dhe shoqërisë civile në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar ka ofruar dhe di si të ofrojë shërbime qeveritare. Por, ajo që nuk di, është si të krijojë institucione opozitare dhe shoqëri civile të qëndrueshme.

Në këtë shkrim dua të përpiqem të argumentoj se ndërtimi i shoqërisë dhe shtetit nuk mund të jetë i suksesshëm, nëse nuk kemi kohezion veprimi të këtyre segmenteve që funksionojnë dhe janë baza e ndërtimit të demokracisë të shtetit të Kosovës.

Roli i opozitës

Shumica e rasteve të suksesshme të dinamikës së funksionimit të shtetit dhe reformave institucionale kanë ndodhur, kur opozita ka pasur një kërkesë të fortë të brendshme për të kritikuar ose kundërshtuar gjërat që ndodhin në shoqërinë kosovare. Ndonjëherë duhen ngritur gjëra nga hiçi, për ta bërë pozitën që të angazhohet dhe ta dinamizojë jetën politike të një vendi.

Opozita ka mungesë serioze të ofertës dhe njëherësh është e ngarkuar me fjali që përkojnë me ideologjinë, e cila nga 17 shkurti mund të përmendet vetëm për trazim koti, por jo edhe si përmbajtje që mund ta dinamizojë jetën politike.

Mungesa e gjuhës konkrete që do duhej të ishte e pranishme në opinion. Mungesa e prezencës në terren dhe vetëmjaftueshmëria për të qenë pjesë e karrigeve partiake, e bën pozitën të jetë e qetë dhe e monopolizuar në jetën politike në Kosovë. Në rast se nuk ka kërkesë të brendshme për të kritikuar, atëherë detyrohemi që të pajtohemi se opozita është e tillë për këtë arsye: S’ka ide për shtetformim, ose është totalisht e mjaftueshme më atë që posedon: jetën në periferi të ekranit dhe jetën e takimeve të kota me diplomacinë e vendosur në Kosovë.

Nëse kjo opozitë përfshin këto qëllime, atëherë kushti për të qenë ndryshe ka dështuar. Pra, të gjithë janë pjesë e pozitës, duke krijuar një situatë pa presion dhe pa dinamikë debatuese. Një shoqëri e tillë quhet sterile, e padobishme dhe e paqëndrueshme për të qenë e suksesshme.

Me një fjali, mund të themi se AAK s’ka potencial opozitar. Ka vetëm zhurmë të veshur me ideologji. AAK ka mungesë të theksuar të dinamikës politike. Është pa ide. E koncentruar në peshën e një njeriu dhe e mbështjellë me vetëkënaqësinë e kryesisë së saj për të qenë pjesë e veshjes me kollare. Rasti për ndryshime është afër. Kuvendi i kësaj partie. Nëse nuk sjell gjuhë, vizion, pamje dhe koncept debatues, atëherë mbetet që ta harrojmë këtë parti si lidere të opozitës. Sot për sot, ajo ka vetëm emrin parti opozitare. Nuk ndryshon as nga LDD dhe as nga AKR. Të tria përbëjnë boshtin e heshtjes dhe mungesën e opozitës. Thjesht, janë pjesë e një koncepti pa ide.

Roli i pozitës

Në rastet kur pozita s’ka kërkesë, atëherë e vetmja gjë që mund t’i ndodhë është krijimi i opozitës false. Krijimi i një debati brenda vetes së saj për të eliminuar totalisht vëmendjen nga opozita ekzistuese. Ky komoditet i dy partive të mëdha e bën Kosovën vend monopolitik. E bën Kosovën vend të qartësuar politikisht. E bën Kosovën vend të ndërtuar nga idetë ndërkombëtare dhe vend të sunduar nga pozita. Të sunduar, sepse, kur s’ka opozit1 dhe dinamikë politike, fjala qeverisje dhe pushtet e humb kuptimin.

Roli ndërkombëtar

Në mungesë të kërkesës së fortë të brendshme, kërkesa për të dinamizuar gjërat duhet të vijë nga jashtë. Në këtë rast, nga ndërkombëtarët. Kjo duhet të ndodhë edhe për faktin se për shumë vite në botë trendi i politikës ka qenë dobësimi i shtetit dhe forcimi i institucioneve dhe opozitës. Shumë shtete në shekullin e kaluar ishin të forta, për faktin se pozita ishte dominante dhe si e tillë vendimet e kësaj pozite ishin të forta, pa mbështetje dhe pa zë kritik të opozitës.

Modeli i heshtjes dhe mungesës së presionit nga jashtë (ndërkombëtarët) për të ndryshuar opozitën e heshtur dhe për të futur në funksion pozitën, krijon mundësi keqfunksionimesh dhe paaftësi veprimi për shkak të shtrirjes së tepruar të shtetit, edhe aty ku nuk duhet: mediat, shoqëria civile dhe institucionet e pavarura (prokuroria, gjykatat…).

Për një shoqëri çfarë është Kosova, do duhej të krijohej modë e opozitës dhe shoqërisë civile që të kenë zë kundërshtues. Sepse krijohen kushte për një demokraci që ka debatin si mënyrë e jetës që ndryshon Kosovën. Pse jo, edhe të jetë objekt zhvillimi në vete dhe mjet për zhvillim ekonomik.

Tre liderët duhet të dalin nga lëkura e sikletshme e mungesës së ideve. Që të tre shfaqin shumë pak optimizëm për të ardhmen dhe politikën dhe japin ndjeshëm personalitetin e tyre si shumë pak tërheqës për ndryshime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›