E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti po na rrëmben pronën

Nga Tema

Letër e hapur

Z. Bamir Topi, President i Republikës

Z. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë

Z. Fatmir Sejdiu, President i Kosovës

Z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës

Të nderuar zotërinj!

Jemi pronarë të pronës së trashëguar dhe të ligjshme e bashkëpronarë të godinës mbi truallin, e quajtur Vila 6, të rifituar mbas 64 vjetësh, sipas të gjitha ligjeve në fuqi. Këtë pronë qeveria jonë ka premtuar t’ia dhurojë Kosovës për seli ambasade. Ju rivëmë në dijeni se në mënyrë arbitrare 7 muaj më parë, duke paragjykuar tërësisht të gjitha veprimet e mëvonshme administrative antikushtetuese dhe antiligjore, marrë nga AKKP më 28.07.2008, ka hequr pronën tonë të rikthyer, e cila ishte sekuestruar nga regjimi komunist. Prona jonë ishte e regjistruar në ZRPP konform ligjeve në fuqi, por mbas 13 muajve u ri-shtetëzua. U sekuestruam përsëri, por duke qenë në “Demokraci.” Jemi në vazhdim të proceseve gjyqësore pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor, Tiranë, me objekt: “Njohjen dhe përcaktimin e raportit të bashkëpronësisë së godinës, si dhe: Deklarimin absolutisht të pavlefshëm të vendimit të AKKP.”

Çdo veprim administrativ në këtë gjendje juridike është i jashtëligjshëm.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Shqipëri na ka gëzuar pa masë të gjithëve, por jo duke bërë kurban pronën tonë të trashëguar. Populli i Kosovës dhe qeveria kosovare e di shumë mirë se ç’do të thotë pronë e trashëguar dhe nuk duhet të pranojë të bëhet bashkëfajtore me qeverinë shqiptare.

Kemi ezauruar të gjitha rrugët institucionale, administrative dhe ndërkombëtare si në Shqipëri, Kosovë e institucioneve të BE, për të frenuar iniciativën e jashtëligjshme të shtetit ndaj kësaj prone private. Jemi pinjollë të familjeve me tradita patriotike, të lidhura shumë fort me Kosovën.

Të nderuar zotërinj!

Ju ri-kërkojmë të mos ndërmerrni veprime të jashtëligjshme, por të zbatoni kushtetutat, ligjet dhe Konventat Ndërkombëtare, në të cilat keni aderuar dhe jeni të detyruar t'i zbatoni ato. Me ambasadën tonë në Kosovë nuk keni vepruar aspak kështu. Prona jonë është e ligjshme. “Rrëmbimi”, “dhurimi” dhe pranimi si “dhuratë” janë të jashtëligjshme. Që nga momenti që iu kemi vënë në dijeni për pronësinë tonë të ligjshme mbi këtë pronë, kanë kaluar 8 muaj, kohë e mjaftueshme kjo për të gjetur një zgjidhje ligjore dhe jo atë të paligjshme, të cilën keni vendosur.

Një vendim i gjyqësorit, i pavarur, i bazuar në ligj, “yllin polar”, nuk do të linte shije të mirë për të dy shtetet, duke detyruar lirimin e pronës tonë, si dhe pagimin e të gjitha detyrimeve financiare që lindin nga ky arbitraritet, absolutisht i jashtëligjshëm. Jemi në shpresë të zbatimit të ligjeve në fuqi të të dy shteteve.

Me respekt

Trashëgimtarët ligjorë

Familjet: Resuli, Mirakaj, Demi

Tiranë, 20.10.2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›