E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë bankë në Shqipëri nuk do të lejohet më të nxjerrë pará jashtë vendit

Nga Fitim Zekthi

Të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend për shkak të efekteve të pritshme të krizës financiare në tregjet botërore nuk do të lejohen të nxjerrin pará nga Shqipëria, për t’ua dërguar ato bankave mëmë në vendet e tjera. Të dhëna zyrtare bënë me dije dje se kjo gjë do të jetë për një afat të pacaktuar dhe qëllimi këtij akti ka të bëjë me ruajtjen e nivelit të likuiditetit në vend nga bankat. Banka qendrore në vend i ka paraprirë kësisoj një kërkese të mundshme për likuiditete në sajë të presionit që mund të vijë nga tregu i huaj financiar, ku shumë banka mund të kërkojnë pará. Shterimi i likuiditeteve në tregun botëror mund të bëjë që shumë banka në vend t’iu dërgojnë pará bankave mëmë dhe kjo gjë do të vinte në vështirësi vetë degët e tyre këtu. Ky duket se është hapi i parë serioz që lajmëron për praninë e ankthit të krizës financiare në vend, ndonëse ende nuk ka asnjë shenje konkrete. Banka Qendrore është treguar shumë e kujdesshme, kur ka marrë këtë vendim dhe është e qartë se kjo gjë, në rast se do të zbatohet, nuk do të lejojë që sistemi ynë bankar të vihet në vështirësi. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, urdhri është vijim i vendimit që mori Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e tij të fundit, ku ishte vendosur për reduktimin e transaksioneve të dhënies së valutës nga bankat e nivelit të dytë. Një gjë e tillë bëhet me qëllimin e vetëm që bankat e nivelit të dytë në Shqipëri të kenë pará të mjaftueshme për t’i bërë ballë çdo situate të mundshme krize, ekonomike apo financiare. Sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë, duke ruajtur nivele të mira të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por duke evidentuar përsëri rënie të cilësisë së portofolit të kredisë dhe të treguesve të likuiditetit. Këtë e evidentoi Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, më 8 tetor. Në mbledhje, u vu në dukje se, në fund të qershorit 2008, portofoli i kredive të sektorit bankar, arriti në pothuaj 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 3.6 pikë për qind, në krahasim me fundin e vitit 2007. Investimet në letra me vlerë arritën në rreth 19 për qind të totalit të aktiveve, duke u rritur me 1 pikë përqindje, në krahasim me fundin e vitit 2007. Në fund të qershorit 2008, kthimi nga investimi i aktiveve mesatare, rezultoi 1.3 për qind, ndërsa kthimi nga investimi mbi kapitalin aksioner, rezultoi 16.6 për qind. Cilësia e kreditimit është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg. Raporti i kredisë me probleme ndaj totalit të portofolit të kredisë u ngjit në 4.3 për qind. Në këtë nivel, ky raport është ende më i ulët se mesatarja e vendeve të rajonit dhe konsiderohet i pranueshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›